I dyshuari për vrasjen në Suharekë ndalohet për 48 orë

Prishtinë | 18 Nën 2026 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari për vrasjen e rëndë që ndodhi sot në Suharekë është ndaluar për 48 orë.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur rreth orës 12:03, më 18 nëntor, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.

Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari Rr.H., pas një mosmarrëveshjeje të çastit, dyshohet se ka privuar nga jeta personin me inicialet S.D., duke e qëlluar me armë zjarri, në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur të viktimës.

“Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari Rr.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë’ nga neni 173 dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se pas pranimit të informatës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipet e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes për zhvillimin e procedurave hetimore.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda.

Të ngjashme