Çitaku pas vizitës së Jakup Krasniqit: Do të lëvizim çdo gur që të ktheheni sa më shpejt të gjithë në Kosovë

Prishtinë | 18 Nën 2026 | 20:40 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas vizitës së Jakup Krasniqit në Prishtinë, duke shprehur emocionet për takimin e tij me familjen dhe duke i dhënë mbështetje.

Çitaku ka thënë se ishte emocionuese ta shihnin Krasniqin sërish në Prishtinë, në përqafimin e familjes, edhe pse vetëm për pak orë.

“Baca Jakup, na emocionove shumë kur të pamë sërish në Prishtinë, në përqafimin e familjes, qoftë edhe vetëm për pak orë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se nuk do ta lënë vetëm dhe se do të angazhohen për kthimin e tij dhe të tjerëve në Kosovë, të lirë dhe larg, siç ka thënë, prangave e padrejtësisë.

“Mbahuni të fortë, se edhe ne nuk do t’ju lëmë vetëm. Do të lëvizim çdo gur që të ktheheni sa më shpejt të gjithë në Kosovë, të lirë e krenarë, larg prangave e padrejtësisë”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka thënë se vendi i tyre është në atdhe, pranë familjeve dhe popullit, duke shprehur mall për çlirimtarët.

“Në atdheun tuaj, pranë familjeve tuaja e në mesin e popullit tuaj. Këtu e keni vendin dhe dashurinë e secilit prej nesh! Na mungoni shumë, çlirimtarë!”, shtoi Çitaku.

Të ngjashme