Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar sot ish-bashkëluftëtarin e tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilajn, pas shpalljes së pafajësisë së këtij të fundit.
Përmes një postimi në Facebook, Limaj ka bërë të ditur se Kilajn e ka vizituar së bashku me bashkëpunëtorët e tij, duke e përgëzuar për qëndresën gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
“Isniu, sikurse shumë bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së, për një kohë të gjatë u përball me një proces të padrejtë në Hagë, duke kaluar një periudhë të vështirë për të dhe familjen e tij. Sot, pas shpalljes së pafajësisë, pata kënaqësinë ta takoj dhe ta përgëzoj për qëndresën e tij”, ka shkruar Limaj.
Ai ka theksuar se angazhimi për drejtësi dhe kthimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore duhet të vazhdojë.
“Duhet të punojmë me çdo mjet demokratik dhe juridik që, në shkallën e apelit, të vërtetohet pafajësia e katër drejtuesve të UÇK-së dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë që po përballen me këto procese, në mënyrë që të gjithë të kthehen të pafajshëm në Kosovë”, ka deklaruar Limaj.
