A po ia kthen edhe Kina shpinën Rusisë: Diplomati i lartë i del në krah Ukrainës

Prishtinë | 26 Shk 2022 | 09:35 | Nga Ekonomia Online

Një diplomat i lartë kinez ka thënë se Kina beson se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve duhet të respektohet dhe se kjo vlen në mënyrë të barabartë edhe për çështjen e Ukrainës.

Përfaqësuesi i posaçëm i Qeverisë së Kinës për Çështjet e Gadishullit Korean dhe ish-ambasadori i Kinës në Britaninë e Madhe, Liu Xiaoming, e mbrojti pozicionin e vjetër të Kinës për ruajtjen e sovranitetit kombëtar të shteteve, shkruan CNN, përcjell Gazeta Express.

“Kina beson fuqishëm se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve duhet të respektohet dhe të mbrohet dhe qëllimet e parimet (e Kartës së Kombeve të Bashkuara) duhet të respektohen me sinqeritet të vërtetë. Ky pozicion i Kinës është i vazhdueshëm dhe i qartë dhe vlen në mënyrë të barabartë për çështjen e Ukrainës”, shkroi diplomati kinez.

Komentet e tij janë interesante, pasi Kina ishte një nga tri shtetet që abstenuan në votimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i dënuar veprimet e Rusisë në Ukrainë, që u zhvillua të premten në mbrëmje.

Edhe India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan në votim, ndërsa Rusia e përdori veton si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit për ta bllokuar rezolutën. Pas procesit të votimit, 50 shtete lëshuan një deklaratë të përbashkët me të cilën e akuzuan Rusinë se po e abuzon të drejtën e saj për veto.

Ditëve të fundit, kur shumë shtete i dënuan veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, Kina e ka shmangur termin “pushtim”, por ka bërë thirrje për paqe dhe diplomaci si dhe i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “nxitje të zjarreve”.

Të ngjashme