Situata politike në Kosovë po hyn në një fazë të ndjeshme, teksa afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit po shkon drejt fundit, si duket pa një marrëveshje politike.
Nëse nuk arrihet zgjedhja e Presidentit brenda këtij afati, vendi shkon në proces zgjedhor, duke rikthyer në vëmendje jo vetëm nevojën për reforma, por edhe shqetësimet që burojnë nga parregullsitë dhe akuzat për manipulime në zgjedhjet e fundit.
Në lidhje me këtë, hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku për Klankosova ka theksuar se problemet nuk lidhen vetëm me zbatimin e ligjeve, por edhe me vetë strukturën e sistemit zgjedhor.
“Parregullsitë e raportuara në ciklet e fundit zgjedhore tregojnë se problemi nuk qëndron vetëm te zbatimi, por edhe te dizajni institucional i procesit. Për të garantuar integritet zgjedhor, kërkohet një kombinim i masave preventive, kontrolluese dhe ndëshkuese”, tha ai.
Një nga hapat kryesorë, sipas tij, është pastrimi i listave zgjedhore, pasi çdo pasaktësi në këtë fazë mund të hapë rrugë për manipulime.
Në të njëjtën linjë, ai shton se “identifikimi elektronik i votuesve do të reduktonte ndjeshëm manipulimet në ditën e votimit duke krijuar një gjurmë verifikimi të saktë dhe të menjëhershëm”.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas Bugaqkut, është profesionalizimi i administratës zgjedhore, duke qenë se siç u shpreh, ndikimet politike dhe mungesa e trajnimit shpesh krijojnë hapësira për keqpërdorime.
“Komisionerët shpesh janë të ndikuar politikisht ose të patrajnuar mjaftueshëm, gjë që krijon paqartësi procedurale dhe hapësirë për keqpërdorim. Në fund, pa mekanizma efektivë ndëshkues, çdo reformë mbetet e paplotë. Ndjekja penale për shkeljet zgjedhore duhet të jetë e shpejtë, e dukshme dhe me pasoja të prekshme, në mënyrë që të krijojë efekt parandalues”, tha ai.
Transparenca dhe besimi i qytetarëve
Lidhur me procedurat aktuale të monitorimit dhe verifikimit, Bugaqku për Klankosova.tv tha se janë në thelb funksionale, por jo të mjaftueshme për të garantuar besim të plotë publik.
Transparenca, sipas tij mbetet një sfidë kyçe, prandaj publikimi në kohë reale i rezultateve nga çdo vendvotim dhe përdorimi i teknologjisë për verifikim do të ndihmonin në minimizimin e manipulimeve dhe gabimeve njerëzore.
“Gjithashtu, duhet të sigurohet transparencë e plotë në numërim, përmes publikimit në kohë reale të procesverbaleve nga çdo vendvotim. Kjo do të mundësonte krahasim të drejtpërdrejtë midis rezultateve lokale dhe atyre të agreguara në nivel qendror”.
“Një element tjetër është përdorimi i teknologjisë për verifikim, si skanimi elektronik i fletëvotimeve, i cili do të reduktonte gabimet njerëzore dhe mundësinë e manipulimit gjatë numërimit. Gjithashtu, duhet të ketë auditimi paszgjedhor, përmes kontrollit të rastësishëm të një numri të konsiderueshëm vendvotimesh, për të verifikuar integritetin e rezultateve”, tha ai.
Besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor, sipas Bugaqkut, është ende i brishtë.
Ai thekson nevojën për komunikim më të hapur nga institucionet dhe trajtim të shpejtë të ankesave, në mënyrë që çdo pretendim të marrë përgjigje të merituar dhe të shmanget perceptimi i padrejtësisë.
“Aktualisht, besimi mund të konsiderohet relativisht i brishtë, për shkak të përsëritjes së akuzave për parregullsi dhe mungesës së transparencës së plotë në disa faza kritike. Për ta rritur këtë besim, institucionet duhet të investojnë në komunikim publik proaktiv, duke informuar qytetarët në kohë reale për çdo zhvillim gjatë procesit zgjedhor”, u shpreh ai.
“Reagimi institucional ndaj shkeljeve, shpesh vetëm formal”
Hulumtuesi i lartë në KDI ka kritikuar reagimin institucional ndaj shkeljeve, duke e cilësuar shpesh si formal dhe jo substancial.
“Një problem i dukshëm është zgjatja e proceseve hetimore penale dhe mungesa e rezultateve konkrete”, thotë ai, duke shtuar se kjo krijon perceptimin se shkeljet tolerohen.
Bugaqku thotë se edhe pse ka pasur deklarata dhe veprime procedurale, në shumë raste, thotë ai, ka munguar një qasje e vendosur për të adresuar përgjegjësinë individuale.
“Prandaj, institucionet si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë rol kyç në administrimin e procesit, por llogaridhënia nuk mund të mbetet vetëm në nivel administrativ”, shprehet ai, teksa shton se ajo duhet të përfshijë edhe sistemin e drejtësisë, i cili sipas tij, duhet të trajtojë shkeljet zgjedhore me prioritet.
“Për të ndryshuar këtë situatë, nevojitet një qasje më proaktive dhe e koordinuar institucionale, ku çdo shkelje të ndiqet deri në fund dhe të ketë pasoja të qarta ligjore duke sanksionuar të gjithë ata persona që abuzojnë me votën e lirë dhe vullnetin e qytetarëve”, përfundoi Bugaqku.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 25 mars Kuvendit i ka dhënë afat 34 ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të vendit, afat ky i cili përfundon të martën e 28 prillit.
Ndërkaq, në të njëjtën ditë Kushtetuesja doli me aktgjykim edhe lidhur me kërkesën për vlerësim të dekretit të tashmë ish-presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke konstatuar se ky dekret nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Sipas vendimit, në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda afatit shtesë prej 34 ditësh, atëherë Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga dita e shpërndarjes.