Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka përkujtuar dëshmorin Fadil Deliqi në 27-vjetorin e rënies së tij, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tij për çlirimin e vendit.
Në një postim në Facebook, Peci ka theksuar angazhimin e hershëm të Deliqit në çështjet kombëtare dhe përndjekjen që ai ka përjetuar nga forcat serbe gjatë viteve ’90.
“Sot, në 27-vjetorin e rënies së dëshmorit Fadil Deliqi, kujtojmë heroizmin e tij për çlirim. Ai u rrit në frymën e atdhedashurisë, i angazhuar në çështje kombëtare që nga vitet e ’90-ta, çka e bëri të jetë cak i përndjekjes së vazhdueshme nga policia serbe”, ka shkruar ai.
Ai ka kujtuar edhe pjesëmarrjen e Deliqit në luftimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në disa zona të Mitrovicës.
“I armatosur dhe i betuar si ushtar i UÇK-së se do ta luftonte armikun deri në vdekje, ai u përfshi në luftimet që u zhvilluan në Vaganicë, Vernicë, Shipol dhe Mitrovicë, ku edhe ra heroikisht”, thuhet në postim.
Peci ka vlerësuar dëshmorët si simbol të krenarisë kombëtare.
“Dëshmorët janë krenaria e kombit tonë! Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, ka shtuar ai.