Aktakuza kundër Mustafës: Vrasje e torturim të atyre që i cilësonin spiunë

Prishtinë | 25 Sht 2020 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

Për krime që pretendohet se janë kryer gjatë luftës së fundit është ngritur dhe konfirmuar aktakuza me 10 faqe ndaj Salih Mustafë-Calit, ish-epror i UÇK-së. Mustafa është arrestuar mëngjesin e së enjtes, ndërkohë që njoftimi dhe përmbledhja e akuzave ndaj tij është bërë publike disa orë pasi është dërguar në Hagë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Salih Mustafa u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, ka thënë në një komunikatë për media zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.

Sipas dokumentit të publikuar nga Gjykata Speciale, ish-komandant Cali udhëhiqte njësinë BIA, e cila kishte 500-600 ushtarë. Ai akuzohet për ndalime arbitrare, trajtime mizore, tortura dhe vrasje të paligjshme.

Vendi i krimit, sipas aktakuzës, pretendohet që është një kamp ndalimi në fshatin Zllash të Prishtinës. Viktimat, sipas këtij dokumenti, ishin njerëz civilë që nuk kishin lidhje me luftën.

“Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave që u mbajtën në kompleksin e ndalimit në Zllash. Viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftim”, thuhet në aktakuzë.

Në këtë dokument të redaktuar përmendet vrasja e një personi.

“Gjatë mbajtjes së tij si i ndaluar, familjarët e tij vazhdimisht kërkuan të merrnin informata për fatin e tij, mirëpo morën informata të rreme, të paplota ose nuk morën asnjë informatë. [REDAKTUAR] u pa për herë të fundit i gjallë më 19 prill 1999, ose rreth kësaj date. [REDAKTUAR]. Familja e tij nuk dëgjoi më kurrë prej tij. Rreth fundit të prillit 1999, njësiti BIA u largua prej Zllashit. Kufoma e [REDAKTUAR] u zbulua në [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë dokument.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme