Ambasadori francez kërkon armëpushim të përheshëm në Gaza

Prishtinë | 25 Mar 2024 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, ka bërë të qartë kërkesën nga Parisi zyrtar se ka nevojë të menjëhershme për një armëpushim të përhershëm në Gaza dhe për të ndaluar avancimin e mëtejshëm të Izraelit një Rafah.

Këtë koment, de Riviere e bëri gjatë punimeve të posaçme të një seance të Këshillit të Sigurimit, ku u miratua për herë të parë edhe një rezolutë e OKB-së për armëpushim.

Kjo pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e vendosën veton ndaj masës në një ndryshim nga pozicioni i mëparshëm.

Teksti gjithashtu kërkon lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve.

Procesi kishte qenë në një ngërç që nga fillimi i luftës në tetor, duke dështuar vazhdimisht për të rënë dakord për një thirrje armëpushimi.

Lëvizja e SHBA-ve sinjalizon divergjencë në rritje midis saj dhe aleatit të saj Izraelit lidhur me ofensivën e Izraelit në Gaza.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së sapo ka miratuar një rezolutë të shumëpritur për Gazën, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e të gjithë pengjeve”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres.

Sipas tij, kjo rezolutë duhet të zbatohet, “dështimi do të ishte i pafalshëm”.

Votimi erdhi pasi Rusia dhe Kina të premten vendosën veton ndaj një rezolute të sponsorizuar nga SHBA-të që do të kishte mbështetur “një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit.

SHBA-të kishin paralajmëruar më parë se rezoluta që do të votohej sot mund të dëmtonte negociatat për ndalimin e armiqësive midis SHBA-ve, Egjiptit dhe Katarit, duke rritur mundësinë e një veto tjetër, këtë herë nga amerikanët.

Një deklaratë e lëshuar të premten në mbrëmje nga Grupi Arab u bëri thirrje të 15 anëtarëve të këshillit “të veprojnë me unitet dhe urgjencë” dhe të votojnë për rezolutën “për të ndalur gjakderdhjen, për të ruajtur jetët dhe për të shmangur vuajtjet dhe shkatërrimet e mëtejshme njerëzore”.

Të ngjashme