Anijes norvegjeze i shfaqen probleme në motor, 1300 njerëz tërhiqen me helikopterë

Prishtinë | 24 Mar 2019 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet norvegjeze kanë njoftuar se ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë tërë natës së kaluar për t’i shpëtuar 1300 udhëtarë që ndodheshin në një anije udhëtarësh afër bregdetit të Norvegjisë.

Policia e rajonit More og Romsdal ka thënë se anija ka pasur probleme në motor dhe se të gjithë njerëzit që kanë qenë në anije janë tërhequr nga ajo dhe janë dërguar në një vend të sigurt.

Agjencia norvegjeze për operacione të shpëtimit në det njoftoi se anija “MV Viking Sky” dërgoi sinjal për ndihmë në kohën kur në këto ujëra po mbretëronte mot me erë të fuqishme dhe kur ishin ngritur valë të larta.

Pesë helikopterë dhe disa anije shpëtimi kanë marrë pjesë në operacionin e tërheqjes së udhëtarëve nga anija e prishur.

Gjatë operacionit, një nga anijet shëtuese gjithashtu pati probleme me motor dhe dy helikopterë e shpëtuan stafin e saj.

Të dielën në mëngjes, anijes i janë rikthyer në funksion tre nga katër motorët dhe ekuipazhi i saj po bën përpjekje që ta dërgojë atë në portin më të afërt.

“Ishim duke ngrënë drekë kur anija filloi të dridhej. Vendosjen në helikopter do të doja ta harroj. Nuk ishte zbavitëse. Disa dritare të anijes u thyen dhe uji filloi të depërtonte brenda. Ishte kaos”, tha John Curry, një nga personat e shpëtuar.

Zona ujore ku u ndal kjo anije njihet si “Hustadvika” dhe thuhet se është një nga vendet më të rrezikshme në tërë bregdetin norvegjez, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme