Arsyet e “vërteta” të përjashtimit të Kosovës nga BE-ja prej shoqërive digjitale?

Prishtinë | 09 Kor 2023 | 09:43 | Nga Afrim Kasolli

Përjashtimi i Kosovës nga fondet e Bashkimi Evropian për të ardhmen digjitale të rajonit, ashtu siç pritej ngjalli reagime të shumta. Në opinionin vendor ky vendim u interpretua kryesisht si pasojë e gabimeve të qeverisë së Kosovës për të qenë kohorente më kërkesat e Brukselit për dialogun me Serbinë. Me këtë nuk po solidarizohem me qasjen e kësaj qeverie. As me deklaratat skandaloze dje të ministres së Punëve të Jashtme kur e quan BE-në si një tigër prej letre.

Por mbase, ky vendim reflekton edhe disa telashe me të thella që vet BE-ja i ka në raport me Kosovën për shkak të mungesës së unitetit të brendshëm, pikërisht në këtë sferë, dhe tashmë e ka shfrytëzuar shansin që të shpëtojë përkohësisht nga to, e të cilat nuk janë diskutuar shumë për të mos thënë fare në opinionin vendor. Por të cilën e ka analizuar shkëlqyeshëm Martina Cobonaro në shkrimin e saj “ECJ annuls EU Commission Decision on Kosovo’s participation on the body of European regulators for electronic communications”. Madje, edhe ky reflektim bazohet në masë të madhe në interpretimin e kësaj autoreje.

Siç dihet, kohën e fundit Komisioni Evropian ka pasur tensione më shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës sa i përket qasjes së tij ndaj Kosovës për të ardhmen digjitale të saj. E ky i fundit e ka humbur edhe një betejë juridike në gjykatat evropiane, pse e kishte pranuar Kosovën në trupat që merren me rregullimin e komunikimeve elektronike, pikërisht duke u bazuar në strategjinë e Bashkimit Evropian për zhvillimin e shoqërive digjitale për vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe konform detyrimeve dhe obligimeve që dalin nga MSA-ja. Ndërkohë, vendimet e gjykatave të Bashkimit Evropian, krahas traktateve akteve tjera, janë një nga burimet e se drejtës së këtij entiteti supra-nacional. (Karen Davies “Understanding European Union Law faqe 54”). Çfarë ndikon që tashmë Bashkimi Evropian të jetë i penalizuar edhe në aspektin juridik, se i përket mënyrës se si duhet të procedojë më tutje me Kosovën pa u gjetur një zgjidhje tjetër politike dhe juridike. Sepse kështu e ka rekomanduar Gjykata Evropiane e Drejtësisë, pikërisht Komisionin Evropian. Me këtë dëshmohet që edhe MSA-ja më mënyrën siç ishte bërë me Kosovën i ka arritur limitet e saj, si traktat “sui generis” dhe nuk mund të ofrojë edhe më tutje një kornizë adekuate juridike për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Me 18 Mars të vitit 2019 Komisioni Evropian pat vendosur për pranimin Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare te Kosovës në Bordin Evropian Rregullativ të Komunikimeve Elektronike. (Official Journal of the European Union “COMMISSION DECISION of 18 March 2019 on the participation of the National Regulatory Authority of Kosovo in the Body of European Regulators for Electronic Communications (2019/C 115/09)”).

Pranimin e Kosovës (NRA) Komisioni e kishte mbështetur duke u bazuar mbështeti në parimet e TFEU, përkatësisht nenin 17 (1) të TBU sipas të cilit Komisionit i garantohen kompetenca ekzekutive në funksion të interesave të përgjithshme të UE-së, si dhe të ndërmarr iniciativa me qëllim të realizimit të këtyre interesave si dhe përfaqësimit të tyre të jashtëm. Po ashtu, ky vendim bazohej në mbrojtje të nenit 35(2) të Rregullatorit (UE ) 2018/1971, si dhe Këshillit të Bordit të Rregullatoreve (BEREC) ku i lejohet të pranojë brenda tij edhe autoritete rregullative nga “vendet e treta” , fillimisht për shkak të përgjegjësive në fushën e komunikimeve elektronike, ku Unioni me këto “vende të treta” ka marrëveshje në funksion të këtyre qëllimeve. Ndërkohë baza legale e këtij vendimi ishte mbështetur duke marr parasysh nenin 111 MSA-së. (Bashkëpunimi do të përqendrohet së pari në fushat prioritare që lidhen me acquis të BE-së në këtë fushë. Palët do të forcojnë, në veçanti bashkëpunimin në fushat e rrjeteve të komunikimit elektronike dhe shërbimeve të komunikimit elektronik, me objektivin përfundimtar të miratimit nga Kosova të acquis të BE-së në sektor pesë vite pas hyrjes në fuqi të kësaj). E, më kryesorja participimi i Kosovës në BEREC, sipas arsyetimit të Komisionit, qëndron në konsistencë të plotë më strategjinë e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e “shoqërive digjitale” siç është promovuar edhe nga agjenda digjitale për këtë rajon.

Mirëpo, ky vendim i komisionit solli reagimin e shtetit spanjoll, një shtet ky, që e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Me këtë rast, autoritetet shtetërore spanjolle ngritën padi kundër Komisionit Evropian në Gjykatën e Përgjithshme (Court General).Këtë veprim Mbretëria Spanjolle e ndërmori duke u bazuar në nenin 263 të TFUE dhe duke kërkuar anulimin e pranimit e Kosovës në BEREC.

Kështu, Gjykata e Përgjithshme në shtator të viti 2020 vendosi kundër padisë së shtetit të Spanjës. Kjo padi ishte ndërtuar mbi tri pretendime kryesore. Së pari ky shtet pohonte se Komisioni ka cenuar nenin 35 të Rregullatorit duke e pranuar Kosovën, sepse kjo e fundit nuk është një “shtet i tretë”. Me këtë rast, Gjykata bëri një interpretim të gjatë të konceptit të “(Vendit) të tretë dhe (Shtetit) të tretë” duke pohuar se ky koncept e para nuk është i definuar në nenin 35(2) të rregullatorit 2018-1971 dhe të përcaktohet saktësisht se a është fjala për “shtete të treta” siç Mbretëria e Spanjës pohon. Prandaj, sipas opinionit të Gjykatës së Përgjithshme nocioni ”shtetet e treta” dhe “vendet e treta” kanë një karakter fluid dhe si të tilla nuk janë përcaktuar qartë . Madje, sipas këtij gjykimi nocioni “vendet e treta” përdoret edhe kur është fjala për raportet e jashtme sepse shoqëria ndërkombëtare nuk është përbërë vetëm nga shtetet.

Pra, në këtë mënyrë, përdorimi i termit “vendet e treta” synon që të shtrojë rrugën për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare edhe me entitete që edhe nuk janë shtete. Kështu Unioni Evropian mund të arrijë marrëveshje edhe me “entitete territoriale” dhe se ky koncept fleskibil bënë fjalë për ato “vende” që kanë kapacitete të nënshkruajnë traktate sipas së drejtës ndërkombëtare, por që nuk janë domosdoshmërisht “shtete”. Të pretendosh të kundërtën sipas gjykatës do të krijohej një vakum legal sa i përket raporteve eksternale të Bashkimit Evropian.

Në funksion të këtij interpretimi Gjykata e Përgjithshme nuk la pa e kujtuar se Bashkimi Evropian, po ashtu ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare më një numër të madh të entiteteve që nuk janë shtete sovrane. Kjo përfshin marrëveshjet e arritura më Organizatën për Çlirimin e Palestinës OCP me Tajvanin, Penghu-n, Kinmen-in, Matsu, Qeverinë e Hong Kongu-t, me Makao-n etj etj. Në veçanti Unioni Evropian, duke iu referuar nenit 217 të TFEU, ka nënshkruar MSA-në dhe i ka hapur rrugën participimit të Kosovës në shumë programe evropiane duke u bazuar në nenin 212 të TFU. Dhe këto marrëveshje u bë e munduar vetëm falë faktit se termi “vendet e treta” kishte një përdorim kaq të gjerë. Prandaj, në asnjë mënyrë kjo nuk nënkupton se BE-ja e ka njohur Kosovën, ashtu edhe siç thënë në mënyrë eksplicite në nenin 2 të MSA-së, që pohon se kjo marrëveshje nuk shënon njohje të Kosovës si shtet i pavarur nga Bashkimi Evropian, ose i afekton qëndrimet e shteteve anëtare.

Me këtë rast, ky koncept përkundër pretendimeve të Spanjës nuk mund të konsiderohet si ekuivalent me termin “Shtet i tretë”. Sepse i pari ka një kuptim shumë më të gjerë, që shkon përtej nocionit të Shtetit, e që Kosova mund të përcaktohet sipas tij, duke mos e paragjykuar pozitën e Unionit dhe shteteve anëtare sa i përket statusit si shtet i pavarur. Prandaj, ngjashëm edhe Kosova si “vend i tretë” i ka autoritet e saj publike sikur se NRA, që dëshmon se pretendimet e Spanjës se vetëm shtetet mund të kenë të tilla janë të paqëndrueshme.

E dyta, Spanja pretendonte se nuk e ekziston ndonjë marrëveshje që bënë fjale për participimin e Kosovës në Bordin e Rregulltaorëve dhe organet tjera të BEREC, sepse neni 111 i MSA, thjesht bënë fjalë për kooperim ndërmjet Kosovës dhe UE dhe ku e para duhet t’i adaptoj termat “UE-aquis” në sferën e telekomunikacionit, por jo diçka më shumë.

Gjykata po ashtu, e refuzoi këtë ankesë të Spanjës duke mbrotjur versionin se nenin 111 duhet interpretuar në një kuptim më të gjerë. Sepse pikërisht pjesëmarrja e Kosovë në punën e BEREC do ta lehtësonte tej mase këtë qëllim. Këtu duhet kujtuar se shpeshherë kur mungojnë normat e shkruara, Gjykatat e Bashkimit Evropian e përdorin metodën teleokratike, pra një vakum të mundshëm legal ato tentojnë ta kompensojnë në funksion të qëllimeve dhe synimeve se pse shërben një normë apo marrëveshje.

Pretendimi i tretë i Spanjës ishte se vendimi ishte jovalid, sepse i kishte shpërfillur proceduat për pranimin e një NRA-je të vendeve të treta në BEREC, sepse Komisioni nuk mund të vepronte në mënyrë unilaterale në këtë rast. Gjykata po ashtu e refuzoi këtë ankesë të Spanjës me argumentin se ky vendim i komisionit derivon nga pushteti dhe kompetencat që i gëzon ky trup nga neni 17 i TBE.

Pasi Spanja e humbi këtë betejë juridike e apeloi këtë vendim të Gjykatës Përgjithshme të Drejtësisë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Dhe kjo e fundit me 17 janar të vitit 2023, e dha verdiktin e saj. Kështu, kjo Gjykatë e anuloi vendimin e Komisionit për participimin e Kosovës në Bordin e Rregulltaorit Evropian të Komunikimeve Elektronike (BEREC). Ndonëse, as kjo Gjykatë nuk e qartësoi pozicionin e BE-së sa i përket pavarësisë së Kosovës, megjithatë ajo bëri një qartësim interesant sa i përket pozicionit të GJDE-së, lidhur me dallimin e nocioneve “vende të treta” dhe “shtete të treta”. Në këtë kontekst, Gjykata konstatoi se nuk ekziston ndonjë dallim ndërmjet nocionit “Vende të treta dhe “Shtete të Treta” dhe se Gjykata e përgjithshme kishte bërë një interpretim të gabuar kur kishte konkluduar se termi “vende të treta” mund t’iu referohet edhe entiteteve jo sovrane.

Në të vërtetë, këto nocione përdoren në mënyrë të ndërkëmbyeshme. Madje, nocioni “vende të treta” as nuk përdoret në Traktate në disa gjuhë. Pra, në versionin e Traktateve që përdoren në Estoni, Latvi, Poloni dhe Slloveni përdoret vetëm termi dhe shprehja “Shtet i tretë”. Prandaj, jo vetëm fjalët në një version të traktatit duhet marrë si bazë për interpretimin ligjor të tij. Ndërkohë, këtu duhet nënvizuar se në Versionin e Konsoliduar të Traktateve të Bashkimit Evropian dhe Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian të përkthyer në gjuhën shqipe, nga Ministria e Integrimit Evropain të Republikës së Shqipërisë, përdoret vetëm termi “vendet e treta”.

Kështu, Kosova duhet të trajtohet si vend (country) sipas kuptimit të nenit 35, por që këtu GJDE-ja nuk la pa përmendur Opinionin e GJND-së se, duke kujtuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte ilegale. Kurse trajtimi i Kosovës si shtet i tretë nuk e afekton pozitën e shteteve anëtare të BE-së. Që i bie se Komisioni nuk ka gabuar në trajtimin e Kosovës si “shtet i tretë” sipas kuptimit të nenit 35 të Regullatorit 2018 \1971 më qëllim të sigurimit të efeqiencës në këtë fushë, me një territor që ndodhet përtej Unionit e që Unioni nuk e ka njohur si shtet të pavarur, por që i cili duhet të trajtohet si “shtetet e treta” pa “paragjykuar” të drejtën ndërkombëtare.

Mirëpo, GJDE-ja vendosi për anulimin e këtij vendimi të komisionit, mbi argumentin se Gjykata e Përgjithshme kishte bërë një keqlexim të ligjit kur kishte konstatuar se Komisioni ka mundësi që në mënyrë unilaterale të vendos për pranimin e Kosovës në BEREC. Dhe në këtë mënyrë ky trup juridik konstatoi se Kosova nuk duhet trajtuar vetëm entitet territorial. Dhe se shtetësia e saj nuk është ilegale sipas së drejtës ndërkombëtare, pavarësisht faktit se BE-ja nuk e njohur si të tillë për shkak të vendeve mosnjohëse sikur se, Qipro, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Spanja. Në fund Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi, që verdikti i saj juridik për anulimin e vendimin të Komisionit Evropian për pranimin e Kosovës në BEERC të mos zbatohet menjëherë, por brenda një periudhe të arsyeshme kohore, me qëllim që të mos rrezikohet pozita e Kosovës. Kurse palët janë të obliguara që brenda gjashtë muajve ta punojnë në funksion të një zgjidhje tjetër. Por me këtë dinamikë të ngjarjeve duket se zgjidhje të tilla të kërkuara nga trupat juridike të BE-së duken më të largëta se kurrë më parë.

Të ngjashme