BE-ja përsërit përkrahjen ndaj Lituanisë mbi çështjen e Kinës e Tajvanit

Prishtinë | 26 Tet 2021 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Ndërsa ligjvënësit evropianë kërkuan që BE-ja të ketë lidhje më të ngushta me Tajvanin, një zyrtar i lartë i Brukselit u zotua të kundërshtojë “përpjekjet e Kinës për të frikësuar” Lituaninë dhe shtetet e tjera anëtare për marrëdhëniet e tyre me ishullin e vetëqeverisur.

Pekini ndaloi në gusht qarkullimin e trenave me mallra kinezë në Lituani, pasi ky vend baltik vazhdoi përpara me planet për të hapur një “Zyrë Përfaqësuese Taivaneze” në kryeqytetin e saj, Vilnius.

Bizneset lituaneze, gjithashtu kanë raportuar humbje të licencave të eksportit në disa sektorë, të cilën gjë Qeveria e ka cilësuar si ‘ngacmim ekonomik’ nga ana e ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Nënkryetarja Ekzekutive e Komisionit Evropian, Margrethe Vestager, duke folur në emër të diplomatit të lartë të bllokut, Josep Borrell, shprehu “solidaritet” dhe “mbështetje” për Vilnius.

“Lituania dhe të gjitha shtetet anëtare, të cilat janë të detyruara të marrin vendime për të cilat Kina mendon se janë ofenduese, kanë nevojë për mbështetjen dhe solidaritetin tonë. BE-ja do të vazhdojë të kundërshtojë këto përpjekje dhe të ndërmarrë hapa të duhur, “tha Vestager, që është njëkohësisht edhe komisionere e BE-së për konkurrencën, në një fjalim në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë, të martën e kaluar.

Një draft i instrumentit kundër shtrëngimit pritet në dhjetor. Do t’i jepte BE -së një mandat për t’u hakmarrë për ‘ngacmimet’ e perceptuara ekonomike. Vestager nuk qe e hapur të tregojë se çfarë lloj masash do të merrte Brukseli për të mbështetur Vilnius. Vestager shtoi se BE-ja “duhet të adresojë përpjekjet e Kinës për të frikësuar partnerët që përkrahin Tajvanin”, dhe se ajo dëshiron të “angazhohet më tej me Taipein në lidhje me politikën e Bashkimit Evropian për Kinën”.

Borrelli pritej të debatonte në parlament mbi Tajvanin, por u largua pa paralajmërim për shkak të një çështjeje të planifikuar më parë. Në një telefonatë me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, muajin e kaluar, Borrelli mbrojti planet e bllokut për të zgjeruar marrëdhëniet e tij me Tajvanin “pa asnjë njohje të shtetësisë”, sipas një deklarate të BE -së. Parlamenti po debatonte për dokumentin e tij të parë të qëndrimit ekskluzivisht për Tajvanin, një raport jo detyrues që bën një seri rekomandimesh për Komisionin Evropian dhe vendet anëtare.

E tëra kjo vjen në një kohë të rritjes së interesit për marrëdhëniet ndër-ngushticë të Evropës, dhe me tensionet ushtarake në rajon që ishin top lajmet e fundit e që u dënuan nga diplomatët e BE-së. Kina ka bërë një numër inkursionesh avionësh në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit javët e fundit. “Ne kemi parë ndërhyrje të përsëritura të avionëve kinezë përgjatë vijës mesatare dhe në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit. Këto shfaqje të forcës mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe prosperitetin evropian,” tha Vestager.

Përplasja e kombinuar BE-Lituani me Pekinin ka ndihmuar në forcimin e mbështetjes për Tajvanin midis ligjvënësve. Michael Gahler, një eurodeputet gjerman i qendrës së djathtë, i cili kryeson grupin e miqësisë të Tajvanit në parlament dhe i cili u sanksionua nga Kina këtë vit, i kërkoi BE-së të përfundojë një marrëveshje investimi me “pjesën demokratike të Kinës”, pra me Tajvanin, pasi Brukseli tashmë ka ndjekur një pakt investimi me “anën diktatoriale”, duke iu referuar marrëveshjes dypalëshe me Kinën, e cila nuk po zbatohet tashmë.

“Ne nuk po kalojmë vijat e kuqe, përkundrazi ne duam të ruajmë status quo -në përtej Ngushticës së Tajvanit dhe do të kërkojmë që të mos ndërmerren hapa të njëanshëm dhe, natyrisht, asnjë hap i dhunshëm nga Kina”, tha Gahler, duke thënë se “në këmbim” BE-ja nuk duhet të “ndryshojë në mënyrë të njëanshme statusin duke e njohur Tajvanin në mënyrë diplomatike”.

Katalin Cseh, një eurodeputete hungareze me grupin liberal “Renew Europe”, paralajmëroi se “agresioni në rritje i Pekinit mbi Tajvanin është shumë çështje jona”. “Kina e di këtë, kjo është arsyeja pse ata prodhojnë ‘kuaj trojanë’, si Qeveria Orban,” tha Cseh, duke iu referuar kryeministrit hungarez pro-kinez, Viktor Orban.

Ndër rekomandimet e përshkruara në raport ishin që BE-ja të “fillojë urgjentisht një vlerësim të ndikimit, konsultime publike dhe ushtrime të përcaktimit të një marrëveshjeje dypalëshe investimesh” me Tajvanin; për të dënuar “luftën e vazhdueshme ushtarake të Kinës kundër Tajvanit”; për të avokuar për statusin e vëzhguesit tajvanez në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Interpolin, si dhe për të “shprehur solidaritetin” me Lituaninë në raport me Pekinin mbi planet për hapjen e një Zyre Përfaqësuese Tajvaneze në Vilnius. Parlamentarët shkruan se imponimi i ligjit të sigurisë kombëtare në Hong-Kong ka bërë që pretendimi i ligjit kinez anti-shkëputje i vitit 2005 që i “jap Tajvanit një nivel të lartë autonomie në rast të bashkimit, të konsiderohet plotësisht i pabesueshëm”.

Ata i bënë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare që të rrisin shkëmbimet me Taipein, “përfshirë ato në nivelet më të larta”, në sferat si në politikë, ekonomi, shkencë dhe industri. “BE-ja, gjithashtu duhet të dënojë më ashpër luftën e vazhdueshme ushtarake të Kinës kundër Tajvanit. Ne duhet të theksojmë nevojën për lirinë e lundrimit dhe mbikalimin në Detin e Kinës Lindore dhe në atë Jugore, si dhe rëndësinë e paqes dhe stabilitetit përtej Ngushticës së Tajvanit, “tha Charlie Weimers, autori kryesor i raportit.

Weimers, gjithashtu bëri thirrje që BE-ja të “ndryshojë emrin e Zyrës Evropiane Ekonomike dhe Tregtare në Tajvan në “Zyra e Bashkimit Evropian në Tajvan”, në mënyrë që të pasqyrojë fushën e gjerë të lidhjeve tona”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme