Berlini porosi Prishtinës: Ata që e refuzojnë Lajçakun le të mendojnë dy herë

Prishtinë | 24 Pri 2020 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në vazhdimësi ka adresuar kritika ndaj Bashkimit Evropian rreth çështjes së procesit të dialogut me Serbinë. Përveç BE’së, Thaçi në vazhdimësi e ka kritikuar edhe përzgjedhjen e Brukselit për pozitën e emisarit për dialogun Prishtinë-Beograd.

Në fillim të këtij muaji madje kishte thënë se nuk do të pranojë të takohet me sllovakun Miroslav Lajçak nëse ai do të ulet si ndërmjetësues në tavolinën e dialogut duke mos e njohur Kosovën si shtet dhe duke u bazuar në Rezolutën 1244.

‘’Nëse vjen Lajcaku si i dërguar i Borrellit, dhe nëse vjen me status neutral me pozicion të 1244 atëherë nuk do të takohem me të, pa e njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. S’e takoj Lajcakun nëse vjen me qëndrim mosnjohës ndaj Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi në Pressing të T7.

Por ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, ka thënë se Berlini zyrtar mbështet plotësisht Lajçakun në pozitën e emisarit të BE’së derisa ka shtuar se kush e refuzon Lajçakun refuzon Gjermaninë.

“Do të mendohesha dy herë përprara se të refuzoja të flisja me të”, ka thënë Heldt mbrëmjen e së enjtes në emisionin “DESKU”.

“Kush e refuzon Lajçakun, e refuzon dhe Gjermaninë”, ka shtuar tutje diplomati gjerman.

Së fundi me Miroslav Lajçak nuk ka pranuar që të flasë në telefon as kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, pasi siç shkruante në letër ish-kryeministri “në rrethanat e paqarta politike një telefonatë e tillë është e panevojshme”.

Megjithatë Lajçak ka filluar punën e tij si Përfaqësues Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka filluar të vendos kontaktet në Kosovë dhe në Serbi, derisa ka konfirmuar se ende s’ka rënë në kontakt me emisarin e Trump për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell.

Të ngjashme