Biden dhe Trudeau takohen muajin e ardhshëm

Prishtinë | 24 Jan 2021 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau janë pajtuar që të takohen muajin e ardhshëm, ka bërë të ditur zyra e kryeministrit kanadez.

Biden dhe Trudeau kanë komunikuar përmes telefonit ku edhe janë pajtuar që të bashkojnë forcat për të luftuar koronavirusin në Amerikën Veriore.

Trudeau thuhet se është lideri i parë botëror që ka komunikuar me Joe Biden që prej inaugurimit të tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Liderët e dy vendeve gjatë komunikimit që kanë pasur janë pajtuar po ashtu për bashkëpunim rreth vaksinimit kundër COVID-19, shkruan Reuters.

Nuk dihet ende nëse takimi do të bëhet ballë për ballë apo do të jetë takim virtual për shkak të pandemisë.

Biden ka zhvilluar një telefonatë edhe me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson.

Johnson i ka thënë presidentit amerikan se e kanë mirëpritur vendimin e tij për rikthim të SHBA-së në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe po ashtu në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Të ngjashme