Bjellorusia i hakmerret ShBA-së, ia zvogëlon stafin e ambasadës, ndalon USAID-in

Prishtinë | 04 Qer 2021 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Bjellorusia ka thënë se do ta zvogëlojë numrin e diplomatëve dhe stafit që do të lejohen në Ambasadën e ShBA-së në Minsk dhe do t’i shtrëngojë procedurat për lëshimin e vizave për qytetarët amerikanë si reagim ndaj sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj këtij vendi.

Kështu njoftoi të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë, Anatoly Glaz, i  cili nuk dha shumë hollësi rreth masave të reja.

Glaz tha se i është tërhequr leja e punës Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

“Këto masa janë me shënjestër. Ato janë të hartuara për të dërguar një sinjal të qartë te Shtetet E Bashkuara rreth kotësisë së presionit dhe shtrëngimit në marrëdhëniet me Bjellorusinë”, tha ky zyrtar.

Vendimi i shtetit autoritar të Evropës Lindore erdhi pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj nëntë ndërmarrjeve shtetërore bjelloruse pas devijimit të detyruar të një fluturimi ndërkombëtar dhe arrestimit të një gazetari disident që ndodhej në aeroplan.

Uashingtoni njoftoi për sanksionet kundër kompanive bjelloruse në fund të majit. Shtëpia e Bardhë gjithashtu ka thënë se është duke u koordinuar me Bashkimin Evropian dhe partnerët tjerë për të hartuar një listë të sanksioneve kundër anëtarëve të qeverisë bjelloruse.

Të ngjashme