Delegacioni nga Bullgaria deguston verërat e Rahovecit

Prishtinë | 25 Jan 2024 | 18:44 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, dhe ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit i Bullgarisë, Kiril Vatev, pas vizitave te disa agrobiznese vendore, kanë pasur rastin të degustojnë verërat e prodhuara nga vreshtat e rajonit të Rahovecit.

Vatev po qëndron për një vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, në krye të një delegacioni, pjesë e të cilit ishte dhe ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev, zëvendësministri i Bujëqësisë, Alexander Iotzev, e zyrtarët të tjerë. Ata janë njohur nga afër me potencialin zhvillimor të prodhuesve kosovarë.

Mysafirët nga Bullgaria janë njoftuar se zona e vreshtave të Rahovecit i përket zonave më të spikatura të vreshtarisë në Kosovë. E gjithë vreshtaria e kësaj zone shtrihet në terren kodrinor në lartësinë 340- 600 metra. Klima kontinentale e ndërthurur me rrymën mesdhetare e bën këtë zonë vreshtash shumë specifike dhe të përsosur për prodhimin e rrushit dhe verërave të një cilësie shumë të lartë, pra cilësisë më të lartë.

Në “Bodrumin e Vjetër”, të cilën e kanë vizituar, ata janë njoftuar nga pronari se këtu prodhohen verërat si: Cabernet Sauvignon, Merlot, Pinot Noir, Vranç prej varieteteve të verës së kuqe; ndërsa nga varietetet e verës së bardhë: Chardonnay, Riesling Rhine, Riesling Italian dhe, gjithashtu prodhon pije alkoolike: Rakia e Kosovës, Darda Extra dhe Darda.

Kjo verari eksporton në më shumë se dhjetë shtete, përfshirë: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Republikën Çeke, Holandë, Zvicër, Belgjikë, Japoni, Norvegji, Poloni etj.

Më herët gjatë ditës, Peci dhe Vatev kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.

“Përmes këtij memorandumi synojmë që ta intensifikojmë bashkëpunimin në fushat me rëndësi si: ushqimi, blegtoria, kultivimi i bimëve, kultivimi i hardhisë dhe prodhimit të verës, zhvillimi rural, peshkimi dhe akuakultura, bimët mjekësore dhe bujqësia organike”, ka thënë ministri Peci, duke shtuar se me qëllim të ngritjeve të kapaciteteve humane do të realizohen edhe hulumtime, trajnime, si dhe do të ndahen ekspertiza e eksperienca në teknologjinë bujqësore.

Të ngjashme