Dështimi me xhamin anti-plumb i kushtoi Elon Muskut 768 milionë dollarë

Prishtinë | 24 Nën 2019 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Prezantimi i modelit më të ri të veturës elektrike nga prodhuesi “Tesla” nuk shkoi si duhet. Shefi i kësaj kompanie e theu xhamin anti-plumb me një goditje përderisa po mundohej ta dëshmonte qëndrueshmërinë e tij.

Pas këtij dështimi, vlera e aksioneve të Tesla-s ra për 6 për qind, ndërsa pasuria personale e shefit të saj u zvogëlua për 768 milionë dollarë brenda një dite të vetme, raporton revista “Forbers”.

“Ky xham është rezistent ndaj armëve me plumba 9-milimetërsh”, tha Elon Musk para se shefi i dizajnit, Franz von Holzhausen të demonstronte dy herë se ai xham thyhet me një goditje të topit të fortë. “Nuk depërtoi brenda, kjo është ana pozitive”, shtoi Musk pastaj.

Kjo nuk është hera e parë që paraqitjet publike të shefit shkaktojnë rënie të madhe të vlerës së aksioneve të kompanisë. Një vit më parë, vlera e aksioneve të Tesla-s ra për gjashtë për qind kur Musk vendosi të tymosë kanabis gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë.

Sidoqoftë, shefi i kësaj kompanie ka pasuri prej 20 miliardë dollarësh dhe ndoshta nuk e ka problem që të vazhdojë të thyejë gjëra, shkruan “The Guardian”.

Të ngjashme