Drejtori i Policisë kërkon të raportojë në Komision me dyer të mbyllura për situatën në veri

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 10:48 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kërkoi që për situatën e sigurisë në veri, raportimi të mbahet me dyer të mbyllura për medie në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se fokus kanë rendin dhe sigurinë në katër komunat veriore të vendit. Sipas tij, numri i vrasjeve është ulur, ndërsa është rritur numri i rasteve të dhunës në familje.

“Për shkak të ndjeshmërisë në veri të vendit do të preferoja të kalojmë në një seancë të mbyllur. Fatkeqësisht edhe këtë vit jemi përball me situata të rënda në fushën e mbajtjes të rendit dhe sigurisë publike sidomos në veri të vendit, me aktivitetit të cilat kanë pas për qëllim pengimin në zbatimin e ligjit të barabartë për të gjithë qytetarët. Policia e Kosovës me përkrahjen edhe të institucioneve tjera shtetërore dhe qytetarëve ka arritur të menaxhojë situatën me maturi dhe profesionalizëm”.

“Kemi pasur bllokim të rrugëve përmes barrikadave, aktivitete penguese përmes zyrtarëve policorë, por edhe aktivitete tjera kriminale. Fal angazhimit tonë është shtuar aktiviteti policorë në parandalimin e krimit, dhe aktiviteteve tjera të jashtëligjshme. Janë mbyllur rrugët ilegale në veri të cilat janë shfrytëzuar nga strukturat kriminale për aktivitete të kontrabandës kufitare. Në atë zonë ne kemi rritur kapacitetet tona, si në infrastrukturë por edhe në burime njerëzore”.

“Gjatë vitit të kaluar falë punës dhe parandalimit të dukurive negative kemi disa rezultate pozitive siç janë ulja e numrit të vrasjeve, veprave penale të grabitjeve, vjedhjeve dhe të tjera, ndërsa është rritur numri i rasteve të dhunës në familje”.

Deputeti i VV-së Enver Dugolli, e ka pyetur drejtorin e Policisë në lidhje me furnizimin me uniforma për policët dhe pse janë duke ndodhur vonesat.

“Një pyetje rreth procedurave a është në pyetje mungesa e mjeteve apo është në pyetje procedurat”, pyeti ai.

Drejtori tha se vonesat nuk janë duke ndodhur për shkak të mjeteve financiare, por për shkak të procedurave.

“Nuk është çështje e mjeteve por është çështje e procedurave”, tha ai.

Deputeti tjetër i VV-së Dimal Basha, ka pyetur drejtorin se “ka lajme që Policia në veri nuk kanë anti-plumb”.

Drejtori tha se Policia e cila është duke vepruar në veri dhe se është e pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme.

“Ju garantoj që polica që janë atje janë të pajisur me të gjithë pajisjet që i’u nevojiten”, tha ai.

Deputeti i PDK-së Rashti Qalaj, ka pyetur në lidhje me makinat inteligjente të cilat Policia së fundi është pajisur me to, pasi sipas tij, ato nuk janë treguar shumë efikase.

“Në lidhje me patrullat inteligjente, nuk janë tregu shumë efikaset ato vetura. Mendoj që duhet të vazhdohet me ato. Jemi i vetmi vend që nuk i kemi radarët statik”, tha ai.

Drejtori tha se në lidhje me këto vetura ka pasur disa defekte, por që ato janë duke u rregulluar me operatorin. Ai shtoi se këto pajisje janë të rëndësishëm për sigurinë dhe se në të ardhëm pritet që të shtohet numri i tyre.

“Në lidhje me vetuar ka pasur disa defekt që jemi me operatorë për t’i rregulluar. Ato janë të rëndësishëm dhe ndikojnë shumë në siguri. Mendoj në të ardhëm të shtojmë numrin e tyre. Këto mjete do të jenë efikase ku në mënyrë automatike gjoba do ti shkoj shkelësit”, tha ai.

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha, ka pyetur se planet operative të Policisë a vijnë nga një vendim politik.

“A vjen plani operativ nga një urdhër dhe një urdhër a vjen nga  një vendim politikë”, tha ai.

Drejtori Hoxha tha se Policia nuk zbaton urdhra të paligjshme, raporton EO.

“Sa i përket urdhrave operativ, normalisht se ne nuk zbatojmë urdhra të pa ligjshëm. Planet operative, vendimet e ligjshme politike ne i përkthejmë në detyra detyrat tona pasatja bëhen urdhra operativ. Pastaj urdhër zbërthehet në plane operative taktike dhe komandohet nga niveli qendror dhe menaxhohet nga dhoma komanduese”.

Të ngjashme