Duka: Duam të shkojmë përtej grupit – s’dua të takohemi me Italinë

Prishtinë | 23 Nën 2023 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria u kualifikua për herë dytë në finalet e një Evropiani dhe pas përfaqësimit në Francë në 2016, e pret aventura në Gjermani vitin e ardhshëm.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në një intervistë për “Tuttomercatoweb” thotë se do të synohet kalimi i grupit.

“Tani vjen pjesa e vështirë, do të takojmë ekipet e forta. Në letër arrijmë si një nga skuadrat më të dobëta, por duam të shkojmë përtej grupit. Nuk e di ku do të arrijmë, por i kemi kualitetet për të shkuar më tej. Dhe festa tashmë ka përfunduar, ne po përgatitemi për Gjermaninë. Trajneri është i uritur. Nuk dua të takoj Italinë, ata janë një ekip shumë i fortë edhe pse nuk kanë arritur rezultate të mira kohët e fundit”, u shpreh ai, shkruan KlanTv.

Duka vlerësoi punën e stafit teknik që pati pak muaj kohë për të arritur këtë rezultat historik.

“Duhet sakrificë dhe punë e programuar, sepse ndryshe asgjë nuk arrihet. Natyrisht, trajneri ishte regjisori, por më duhet të flas mirë edhe për Dorivën që ka luajtur në Itali. Ai është një ekspert që na ka ndihmuar shumë. Ai së bashku me Zabaletën ndërtuan një grup shumë kompakt”, theksoi Duka në këtë intervistë.

Shqipëria do të presë tani shortin e 2 dhjetorit për të njohur kundërshtarët në finalet e Euro 2024. Një grup që parashikohet i vështirë duke parë që në të gjitha vazot ka skuadra të forta.

Të ngjashme