Dy zyrtarëve u ndalohet puna për 2 vjet në administratë publike, 20 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë

Prishtinë | 11 Shk 2022 | 11:47 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar dy persona me nga 20 muaj burg dhe gjobë prej 1 mijë euro, e po ashtu u është ndaluar për dy vjet të punojnë në administratë publike.

Sipas komunikatës për medie, të dyshuarit për ushtrim të ndikimit kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit.

“I akuzuari R.I është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 20(njëzet) muaj burgim, të cilin dënim do ta vuan në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 1000 €, të cilin dënim duhet ta paguaj në afat prej 3 (tre) muajve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në komunikatë.

E po ashtu, edhe i akuzuari B.G është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 20(njëzet) muaj burgim, të cilin dënim do ta vuan në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 1000 €, të cilin dënim duhet ta paguaj në afat prej 3 (tre) muajve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Gjykata në harmoni me nenin 62 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës KPRK, të akuzuarve R.I dhe B.G iu shqipton dënim plotësues Ndalimi ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve pas ekzekutimit (vuajtjes) së dënimit. Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme