Dyshohet se përdori dokumente të falsifikuara në aktivitetet e prokurimit publik, arrestohet

Prishtinë | 25 Tet 2021 | 18:13 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore kanë arrestuar një person të dyshuar, mashkull kosovar me iniciale (L.B.).

“I dyshuari i lartcekur me iniciale në pozitën e drejtorit të një kompanie, në ofertën e kompanisë ka përdorur dokumentacione të falsifikuara në aktivitetin e prokurimit të zhvilluar nga një komunë me datë 05.05.2021. Po ashtu gjatë ndërmarrjes se veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi se i dyshuari ka përdorur dokumentacion të falsifikuar edhe në aktivitetet e prokurimit të zhvilluara në disa komuna dhe një institucion tjetër”, njofton policia.

Me këto veprime i dyshuari i lartcekur me iniciale (L.B.) dyshohet se ka kryer vepër penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga neni 415 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndaj të dyshuarit pas intervistimit, Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për ndalim për 48 orë.

Të ngjashme