“E premtja e zezë”, çmenduri blerjesh në botë

Prishtinë | 24 Nën 2017 | 21:05 | Nga

E premtja e zezë erdhi përsëri, me Japoninë që duket se ka marrë stafetën, në atë që është shndërruar në parajsën e përvitshme të gjahtarëve të uljeve të çmimeve.

Tregtarët kryesorë në vend kanë qenë të parët që kanë hapur dyert për blerësit, me disa degë që kanë nisur të shesin me ulje menjëherë pas mesnate.

Tradita ka nisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ditën pas Festës së Falenderimeve. Por tani është shndërruar në një fenomen thuajse global, e një nga ditët më intensive të shitjeve të vitit në të gjithë botën, ndërsa tregtarët konkurrojnë me njëri-tjetrin për të siguruar sa më shumë xhiro.

“Fundjava e së premtes së zezë, në fakt mund ta bëjë apo zhbëjë një tregtar, e kjo kryesisht sepse shënon fillimin e sezonit të shitjeve të festave, që është ngjarja më e madhe në kuptimin e shitjeve dhe fitimeve për një tregtar”, thonë ekspertët.

Ndaj, nëse konsumatorët nuk marrin një ulje prej të paktën 40 për qind, ata nuk do të kenë bërë një marrëveshje të mirë për të premten e zezë. Ata që përpiqen të mbrojnë planetin nuk janë domosdoshmërisht fansa të së premtes së zezë.

Aktivistët shpresojnë se njerëzit do të mendohen më shumë, para se t’i bashkohen frenezisë së konsumatorëve. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë kjo frenezi po zhvendoset nga dyqanet tek ofertat “online”.

Ngjarja e përvitshme promocionale është importuar nga SHBA në Britani nga “Amazon” në vitin 2010 dhe është rritur gjithnjë e më shumë çdo vit.

Sidoqoftë, punonjësit e “Amazon” në Itali dhe Gjermani, këtë vit kanë zgjedhur të bëjnë grevë në ditën më të rëndësishme të vitit. 4.000 punonjësit e “Amazon” në Piacenza, në Italinë veriore, janë hedhur në grevë për paga më të mira.

E premtja e zezë e ka marrë këtë emër për shkak se shpenzimet mund të rriten shumë dhe tregtarët mund të arrijnë kthesën e madhe të vitit. Sezoni i blerjeve për festa në SHBA, që zgjat deri për Krishtlindje, mund t’u garantojë shitësve 40 për qind të shitjeve të të gjithë vitit. (tch)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme