Franca do të testojë 1.3 milionë njerëz për të gjetur “grumbuj të fshehur” të infektimeve

Prishtinë | 26 Qer 2020 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet shëndetësore të Francës do të bëjnë 1.3 milionë testime për koronavirus në rajonin Île-de-France, rreth i Parisit, në një plan eksperimental i cili ka për qëllim të kuptojë nëse ekzistojnë “grupe të fshehura” të të infektuarve, shkruan The Guardian.

Ministri i Shëndetësisë i Francës, Olivier Véran, tha se kjo skemë ku përshihen banorët e 30 lagjeve që janë thirrur për të bërë testin e virologjisë, mund të zbatohet edhe në pjesën tjetër të Francës nëse dëshmohet i dobishëm. Testet e virologjisë, ndryshe nga testet e antitrupave në gjak, bëhen duke marrë mostra nga hunda e pacientit për të parë nëse ka prezencë të materialit gjenetik të virusit (RNA-së) dhe konsiderohen të jenë shumë të sakta.

Qëllimi është të testohen njerëzit të cilët nuk kanë simptome të koronavirusit por janë në afërsi të grupeve të identifikuara të të infektuarve, e që mund të jenë duke e përhapur virusin pa e ditur fare.

Komentet e Véranit erdhën pasi që fundjavën e kaluar gjatë festës vjetore Fête de la Musique në Paris u panë njerëzit duke pirë dhe vallëzuar afër njëri-tjetrit pa maska, duke shkaktuar edhe një brengë rreth asaj se sa janë njerëzit të përgjegjshëm për veten dhe të tjerët, transmeton koha.

Sidoqoftë, më shumë se gjashtë javë pas përfundimit të kufizimeve të rrepta, numrat e infektimeve nuk tregojnë rritje apo të një valë të dytë të infektimeve. Numri i pacientëve që pranohen nëpër spitale dhe përkujdesje intensive vazhdon të pësojë rënie dhe numri i vdekjeve nëpër spitalet franceze në 24 orët e fundit ra në 21 persona.

Të ngjashme