Fuqitë botërore do të zhbllokojnë miliona fuçi karburantesh nga rezervat për t’i ulur çmimet

Prishtinë | 23 Nën 2021 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara thanë të martën se do të lirojnë miliona fuçi me karburante nga rezervat strategjike në koordinim me Kinën, Indinë, Britaninë e Madhe, Japoninë dhe Korenë Jugore për t’i ulur çmimet, pasi shtetet më të mëdha prodhuese të OPEC-it vazhdimisht i injoruan thirrjet për shtim të prodhimit të naftës së papërpunuar.

Presidenti amerikan, Joe Biden, duke u përballur me ulje të përkrahjes për shkak të inflacionit në rritje para zgjedhjeve kongresiste të vitit të ardhshëm, vazhdimisht ka kërkuar nga organizata e shteteve eksportuese të karburanteve dhe nga aleatët e tyre që të prodhojnë më shumë karburante.

Njoftimi i të martës se Shtetet e Bashkuara do të lirojnë 50 milionë fuçi nga rezervat u bë, pasi një zyrtar tha se Uashingtoni u është afruar klientëve të mëdhenj aziatikë të energjisë për të ofruar ndihmë në uljen e çmimeve nga niveli më i lartë në pothuajse tri vite, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Organizata OPEC+, pjesë e së cilës janë Arabia Saudite, aleatët tjerë të ShBA-së në Gjirin Persik dhe Rusia, i ka refuzuar kërkesat për më shumë prodhim gjatë takimeve mujore të shteteve anëtare. Kjo organizatë do të mblidhet përsëri më 2 dhjetor për të diskutuar për këto politika, por deri më tani nuk ka dhënë shenja se do ta ndryshojë qasjen.

Zyrtarët amerikanë thanë se lirimi i miliona fuçive nga rezervat strategjike do të jetë në formën e huas dhe shitjes për kompanitë.

Përmes një deklarate, India tha se do të lirojë 5 milionë fuçi karburant. Koreja Jugore tha se është pajtuar që të marrë pjesë, por nuk dha shifra. Mediet japoneze thanë se Tokio do t’i publikojë planet të mërkurën. Britania nuk ka dhënë ndonjë koment të menjëhershëm.

Të ngjashme