Gërxhaliu: Kosova po rrëshqet në shtet social, Qeveria ka një qasje anti sektorit privat

Prishtinë | 27 Jan 2023 | 07:46 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se sektori privat, i cili e mbush buxhetin e shtetit po përjashtohet nga kjo qeveri kur vjen puna për të përfituar ndonjë mbështetje.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, në një bisedë me Ekonomia Online, ka folur për vendimin e ekzekutivit për ndarjen e 50 eurove për punëtorët e sektorit publik. Ai theksoi se në kohën e krizës nuk duhet të ketë qasje selektive.

Gërxhaliu vlerëson se Kosova dalëngadalë po rrëshqet në një shtet social, ndërsa ka një qasje kundër biznesit privat.

“Me ju thënë të drejtën nuk e kam brengën, orientimin politik të partive politike në Kosovë, a janë të majta apo të djathta sepse vërtet me atë që po e dëshmon një praktikë, e kanë humbur kuptimin e një definimi të tillë. Kam drojen se në mënyrë graduale shteti po rrëshqet në një shtet social. E brenga më e madhe është definitivisht një qasje anti sektorit privat”, ka thënë Gërxhaliu.

“Në këtë drejtim duhet të kuptohet që buxheti i konsoliduar sado që të jetë brenda vitit kalendarik është produkt i eërformancës së sektorit privat dhe qytetarëve të Kosovës dhe si është e mundur ata që e krijojnë buxhetin të jenë gjithmonë të ndëshkuar apo të anashkaluar dhe në anën tjetër të kemi mbështetje për kategoritë e tjera të administratës. Është kohë inflacioni, është kohë e krizës dhe besoj që institucionet nuk duhet të kenë qasje selektive”, ka thënë tutje Gërxhaliu.

Ish-kryetari i OEK-ut ka pasur kritika edhe për mënyrën sesi janë shpërndarë mjetet. Thotë se me vendime ad-hoc nuk mund t’i shpallet luftë inflacionit e as të minimizohen efektet e krizës në aspektin social.

“Është koha kur duhet vërtet prioritet të jetë zhvillimi ekonomik, është koha kur duhet të punohet me çdo kush të arrihet stabiliteti politik, deri sa Kosova nuk do të ketë stabilitet politik është e pamundur të mendohet për investitorë dhe investime të huaja”.

“Me vendime ad-hoc nuk mund t’i shpallet luftë inflacionit, nuk mund të minimizohen efektet e krizës në aspektin social por duhet definitivisht ta kemi një qasje më ndryshe, një qasje që të gjithë do të jenë të përfshirë, sepse një qasje e tillë fragmentuese shumë më tepër e dëmton rolin dhe qasjen e institucioneve sesa që duartrokitet”, u shpreh Gërxhaliu.

Të ngjashme