Gjashtë të arrestuar për dhunë në familje në disa qytete të Kosovës

Prishtinë | 23 Tet 2019 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Gjashtë persona janë arrestuar dje në qytete të ndryshme të Kosovës për dhunë në familje, derisa një është shoqëruar në polici për kanosje, bën të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

Në dy raste të ndara dje janë arrestuar dy burra në Prishtinë.

Njëri kishte rrahur ish të dashurën e tij, kurse tjetri motrën e tij. Të dy viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, derisa të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

Kurse në Graçanicë është arrestuar një burrë serb me dyshimin se ka rrahur motrën e tij.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Kurse në Prizren janë arrestuar dy të dyshuar shqiptarë pasi kanë sulmuar fizikisht dy gra.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptar pasi të njëjtit janë përfshirë në rastin dhunë familjare duke sulmuar fizikisht dy viktimat femra K/Shqiptare. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thotë PK.

E në Gjakovë është arrestuar një burrë i komunitetit ashkali pasi ka sulmuar nënën e tij.

“Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe pas tretmanit mjekësor me dëshirën e saj është kthyer në shtëpinë e saj. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar në mbajtje”, thotë PK.

Derisa në Suharekë një burrë është shoqëruar në polici për kanosje.

“Në stacionin policore është shoqëruar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti sipas bashkëshortes së tij viktimës femër K-Shqiptare, është kanosur. Viktima është dërguar në Spitalin e Prizrenit për kontroll. Me vendim të prokurorit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme