Gjendje alarmante, akulli në detin e Arktikut ende nuk është ngrirë

Prishtinë | 23 Tet 2020 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Për herë të parë qëkur kanë filluar incizimet, shtrati kryesor i akullit të detit në Arktik të Siberisë ende nuk është ngrirë, kur veçse është fundi i tetorit.

Ngrirja e përvjetshme e vonuar në Detin Laptev është shkaktuar nga ngrohja e gjatë e pazakonshme në veri të Rusisë dhe ndërhyrja e ujërave atlantikë, thonë shkencëtarët e klimës, që paralajmërojnë për efekte të mundshme përreth rajonit polar.

Temperaturat e oqeanit në këtë zonë rishtas janë ngritur në më shumë se 5 gradë Celsius mbi mesataren, pas një vale të së nxehtit që ka thyer rekord dhe mungesës së pazakontë të akullit të detit vitin e kaluar.

Në grafiket e zgjerimit të akullit në Detin Laptev tani shfaqet një vijë e drejtë që nënkupton sasi rekorde të detit të hapur në Arktik.

“Mungesa e ngrirjes deri më tani, në stinën e vjeshtës, është e pazakonshme për rajonin arktik siberian”, ka thënë Zachary Labe, një studiues në Universitetin Shtetëror të Kolorados. Ai thotë se kjo gjë është rezultat i pritur i ndikimit të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

“2020-a vetëm se është një tjetër vit, ku ka ndryshime të papritura të Arktikut. Pa një ulje sistematike të gazeve serrë, mundësia për verën e parë ‘pa akull’ do të vazhdojë të rritet nga mesi i shekullit 21”, ka shkruar ai, në një email për gazetën “Guardian”.

Vala e të nxehtit siberian e këtij viti ishte krijuar nga emetimet industriale dhe agrokulturore, ka treguar një studim i mëhershëm.

Temperatura më e ngrohtë e ajrit nuk është faktori i vetëm që po e zvogëlon sasinë e akullit. Ndryshimi klimatik gjithashtu është duke i shtyrë rrymat e Atlantikut lehtas në Arktik dhe duke e thyer shtresimin e pazakontë mes ujërave të thella të nxehta dhe hapësirës së ftohtë. Kjo gjithashtu e vështirëson formësimin e akullit.

Walt Meier, shkencëtar e hulumtues në qendrën amerikane “National Snow and Ice Data Center”, ka thënë se pjesa më e madhe e akullit të vjetër në Arktik tashmë është duke u zhdukur, për ta lënë vetëm një shtresë të hollë akulli sezonal. Tkurrja mund të vazhdojë, deri kur Arktiku do ta ketë verën e parë pa akull, ka thënë Meier.

Të dhënat dhe modelet sugjerojnë se kjo do të ndodhë mes viteve 2030 dhe 2050.

“Çështja është vetëm se kur do të ndodhë e jo nëse do të ndodhë”, ka shtuar ai.

Shkencëtarët janë të shqetësuar se ngrirja e vonshme mund t’i nxisë faktorët që e përshpejtojnë mungesën e akullit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme