Gjendje e rëndë në shtetin e pasur evropian, nis të dërgojë pacientë në Gjermani

Prishtinë | 23 Nën 2021 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Holanda të martën filloi që të dërgojë pacientë me Covid-19 përtej kufirit, në Gjermani, për ta lehtësuar trysninë ndaj spitaleve holandeze, të cilat po përballen me rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

Një pacient u dërgua me ambulancë nga Roterdami në një spital në Bochum të Gjermanisë, rreth 240 kilometra në lindje, të martën në mëngjes, ndërsa një tjetër do të dërgohet më vonë të martën, thanë autoritetet shëndetësore.

Numri i pacientëve me Covid-10 në spitalet holandeze ka shkuar në nivelin më të lartë që nga maji në javët e fundit dhe pritet të rritet edhe më shumë, pasi shifra e të infektuarve ka prekur rekorde, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Spitalet gjermane kanë ofruar gjithsej 20 shtretër për pacientët nga Holanda, pasi kishin trajtuar dhjetëra gjatë valëve të kaluara të pandemisë.

Deri të hënën, 470 nga gjithsej 1.050 shtretërit e reparteve për kujdes intensiv në Holandë ishin duke u shfrytëzuar për pacientë me Covid-19 dhe spitalet tashmë i kanë pakësuar shërbimet për kujdes të rregullt, përfshirë trajtimin e pacientëve me kancer e me nevoja për operacione në zemër, për të siguruar hapësirë të mjaftueshme për rastet me koronavirus.

Planet e qeverisë holandeze për ashpërsim të masave kufizuese nxitën protesta të dhunshme për tri netë radhazi. Policia ka arrestuar më shumë se 170 persona në qytete të ndryshme.

Të ngjashme