Gjoshi: Avdullah Hoti është mashtrues i radhës nga “akademia” e LDK-së

Prishtinë | 05 Sht 2020 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, e ka quajtur kryeministrin Avdullah Hoti si mashtrues të radhës nga “Akademia” e LDK.

Anëtari i Kryesisë së PDK, Gjoshi ka parashtruar 6 pyetje publikenpër Hotin sa i përket marrëveshjes së nënshkruar në Washington.

Deklarata e plotë e Betim Gjoshit:

6 PYETJE PËR AVDULLAH HOTIN

Jemi mësuar që këto muaj ta shohim tepër të qetë dhe që nuk dëshiron të kofrontohet me askënd, por nuk duhet të presim gjatë për ta kuptuar se është një mashtrues i radhës nga “Akademia” e LDK-së.

Kryeministri Hoti në Uashington nuk po ballafaqohet nga askush për qëndrimet kundër ideve që dje i nënshkruajti vet, por ai nuk do të mundet t’i ik përballjes me disa pyetje që dalin direkt prej qëndrimit të tij të shprehur në datën 13 Nëntor 2019.

Hoti dje nënshkruajti se pajtohet që të fusë Kosovën në mini-Shengen, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 (pika 5 e marrëveshjes), por para një viti ai e konsideronte këtë si një ide të rrezikshme dhe jo në interesin e Kosovës.

Këtu nuk po shkruaj për qëndrimin e PDK-së për marrëveshjen, por për Avdullah Hotin i cili është në gjendje të ndryshojë qëndrimet edhe atëherë kur janë në pyetje temat shtetërore dhe ai duhet të përgjigjet në këto 6 pyetje publike për pikën 5 të marrëveshjes për Mini-Shengenin.

1 – A i pamundësohet Kosovës të vendosë kontrolle (tarifa, apo reciprocitet të plotë) për mallra që çrregullojnë tregun tonë, në radhë të parë ndaj Serbisë dhe Bosnjës si dy vende që nuk e njohin dhe e pengojnë Kosovën në çdo formë?

2 – A i mundësohet lëvizje e papenguar zyrtarëve serbë që vijnë në Kosovë për fushatë politike kundër shtetit të Kosovës, pa pasur mundësi të ndalen në kufi?

3 – A e de-faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në kontekst të marrëdhënieve rajonale?

4 – A i favorizon ekonomikisht shtetet e Ballkanit që kufizohen me shtete anëtare të BE-së përmes politikës së taksave, por jo edhe Kosovën?

5 – A krijon mundësi për invasion të mallrave nga Rusia dhe vendet e zonës ekonomike ruse për shkak se Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë?

6 – A po arrin Serbia që ta mbajë rajonin e Ballkanit më gjatë jashtë BE-së, në pritje të krijimit të balancave të tjera gjeopolitike me rol të shtuar të Rusisë?

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme