Gjykata e Mianmarit dëgjon apelet e gazetarëve të dënuar të Reutersit

Prishtinë | 24 Dhj 2018 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Një gjykatë në Mianmar pritet të zhvillojë më 24 dhjetor një seancë për të dëgjuar apelet e dy gazetarëve të agjencisë së lajmeve, Reuters, të cilët janë dënuar me shtatë vjet burgim nën akuzat për posedim të materialit të klasifikuar.

Wa Lone, 32 vjeçar dhe Kyaw Soe Oo, 28 vjeçar, janë arrestuar në dhjetor të vitit 2017 dhe në shtator të këtij viti janë dënuar me nga shtatë vjet burgim, pas supozimeve se ata kanë pasur qasje në dokumente që përmbajnë sekrete shtetërore.

Ata kanë raportuar për një fushatë të ushtrisë së Mianmarit kundër-rebelimit, që ka rezultuar me ikjen e 700,000 myslimanëve Rohingya drejt Mianmarit.

Liderja de facto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, pati thënë se dy gazetarët janë dënuar për shkak se kanë shkelur ligjin dhe jo për shkak të punës së tyre.

Reuters ka kundërshtuar akuzat, derisa grupet për të drejtat e njeriut, Qeveritë Perëndimore, Kombet e Bashkuara dhe grupe ndërkombëtare të gazetarëve kanë dënuar aksionin qeveritar të Mianmarit dhe kanë kërkuar lirimin e gazetarëve.

Gazetarët pretendojnë se janë ndaluar nga autoriteet pasi kanë hetuar masakrën e kryer ndaj 10 myslimanëve Rohingya nga ushtria e këtij vendi.

Mianmari, i banuar me shumicë budiste, ka qenë shënjestër e kritikave ndërkombëtare për trajtimin që u ka bërë myslimanëve Rohingya, sidomos në shtetin Rakhine.

Autoritetet e Mianmarit në anën tjetër kanë thënë se masat e tyre janë drejtuar kundër militantëve të dhunshëm dhe jo ndaj civilëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme