Gjykata Themelore në Pejë vlerësohet më transparente, e Ferizajt më efikase

Prishtinë | 25 Shk 2020 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Demokraci Plus (D+) dhe Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC) në bashkëpunim me programin e USAID për Fuqizim të Sistemit të Drejtësisë (JSSP), në të cilën u shpalosen rezultatet e Anketës me përdoruesit e shërbimeve të gjykatave.

Kryesuesi Çoçaj tha se KGjK i mirëpret raportet e tilla sepse ndihmojnë që konform mandatit ligjor të ndërmiren veprimet adekuate për të përmirësuar edhe më tej shërbimet që rrisin efikasitetin e gjykatave.

“Është e dukshme dhe pozitive që raportet shprehin qartë se perceptimi i qytetarëve dhe i avokatëve për shërbimet e gjykatave është përmirësuar nga vitet e kaluara dhe në përgjithësi është pozitiv nga ajo që ne shohim në media. Ky përkushtim i yni do të vazhdojë dhe anketat e tilla janë mjet efikas për të vlerësuar kënaqshmërinë dhe besimin e qytetarëve në gjykata”, tha Çoçaj.

Drejtoresha për Demokraci dhe Qeverisje e USAID-it në Kosovë, Christina Davies, tha se rezultatet tregojnë se gjykatat po përparojnë dhe punojnë që të përmirësojnë shërbimet e tyre.

KGjK ka nderin të bëjë publike një platformë të re, e cila është mbështetur nga JSSP dhe e cila vendos një standard të ri për gjyqësorin. Në këtë platformë, nga sot, qytetarët mund t’i vlerësojnë shërbimet e gjykatave direkt në faqen zyrtare të gjykatave dhe vazhdimisht do të na lejojë të përcjellim trendin dhe nivelin e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet e gjykatave, fusha të cilat ne si gjyqësor duhet t’i përmirësojmë. KGjK do të angazhohet vazhdimisht në përmirësimin e shërbimeve të gjykatave, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Të ngjashme