Granit Kolshi kërcënohet pas deklaratave për kurdisje

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Ish-portieri i disa skuadrave të Kosovës, Granit Kolshi, ka marrë kërcënime nga persona të panjohur pas deklaratave për kurdisje të ndeshjeve në futbollin e Kosovës në emisionin “Sporti Total” të KTV-së.

Kolshi është kërcënuar me disa mesazhe në Facebook, ku thotë se mesazhet kërcënuese do t’i deponojë edhe në Policinë e Kosovës. Ai ka theksuar se kërcënimet nuk e frikësojnë, por e bëjnë edhe më të fortë për ta ngritur zërin edhe më shumë ndaj parregullsive në futbollin kosovar. Ai edhe sot qëndron prapa fjalëve të tij që i tha të dielën mbrëma në emision.

E kuptoj që shumë klubeve nuk u pëlqen kjo dhe të gjithë futbollistët e dinë që çdo klub ka kurdisje dhe frikësohen për këtë arsye, pra nuk tregojnë të vërtetën sepse më vonë marrin kërcënime. Kjo është e vërteta. Mesazhet i kam ruajtur dhe shpejt do ta angazhoj ndonjë familjar timin për t’i dërguar në Policinë e Kosovës, nga të cilët pres t’i hetojnë se kush fshihet pas këtyre kërcënimeve. Mua nuk më frikësojnë kërcënimet, përkundrazi më rrisin forcën për të qenë zë edhe më i fuqishëm ndaj çdo parregullsie”, ka thënë Kolshi.

Në fakt, Kolshi nëpërmjet një lidhjeje të realizuar nga New yorku, ku edhe është duke jetuar, ka zbuluar trekëndëshin që sipas tij vendos për trofe këtë edicion në Superligën e Kosovës. Ai ka thënë se matematikat për fituesin e titullit dhe trofeun e Kupës po i bëjnë Prishtina, Llapi dhe Drita. Kolshi ka thënë se ka informata se Drita do të dalë kampione, Prishtina nënkampione ndërsa Llapi do ta fitojë Kupën e Kosovës. Liderin e ri Ballkanin e ka përjashtuar nga matematikat. Llapi është në finale të Kupës dhe përballë do ta ketë Dukagjinin e Ligës së Parë.

Kolshi i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë Prishtinën, Dritën dhe Llapin.

“Mua më kanë futur për t’ia dëshmuar tjerëve se Graniti nuk luan ndeshje të kurdisura, flas për ndeshjen Drita – Feronikeli. Kam pasur kërcënime, por nuk jam frikësuar, sepse e dini se sa shumë kam mbrojtur atë ndeshje. Për prokurorin dua t’i tregoj një gjë. Dua t’i them t’i kontrolloj këto tri ndeshje, edhe pse Ballkani nuk ka asnjë marrëveshje. Drita është kampione, Prishtina nënkampione, kurse Llapi fitues i Kupës”, tha Kolshi.

Kolshi ka vite që është duke jetuar në New york, ndërsa ai ka qenë i pari që ka denoncuar një ndeshje të kurdisur në futbollin kosovar. Bëhet fjalë për ndeshjen e vitit 2010 në mes Fushë Kosovës dhe Ulpianës në kuadër të kategorisë së dytë. Kolshi atëbotë ishte portier i skuadrës së Fushë Kosovës.

“Unë jam person që jam në rrjedha të futbollit të Kosovës. Kam parë çdo ndeshje prejse ka filluar ky edicion. Ndeshjet fundit po më fusin në dyshime edhe pse kjo ndeshje Drita – Prishtina i dha vulë. Llapi, Prishtina dhe Drita e kanë bërë kalkulimin kryesor se kush të dalë në Evropë e kush jo. Më së keqi po e pëson Ballkani. Ka matematika që nuk do t’i konvenojnë Ballkanit. Po bëhen vazhdimisht kurdisje të mëdha, nuk e di pse prokuroria nuk po merr masa. Ka edhe në Ligën e Parë”, ishin fjalët e Kolshit.

Kolshi tregoi të dielën se edhe më herët ka qenë i kërcënuar për deklarata të tilla. Mirëpo, ai insiston se ka mbështetjen e familjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme