Hajdutët zbrazin shitoren në Chicago për pak sekonda

Prishtinë | 21 Nën 2021 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Një bandë prej 14 hajdutëve kanë vjedhur gjësende me vlerë 120 mijë dollarë në pikë të ditës në një shitore Louis Vitton në Chicago në një qendër tregtare, raportojnë mediumet amerikane.

Në videon e shfaqur në rrjete sociale shihet banda duke u futur në shitoren në Qendrën Oak Brook të enjten, pasi rroja e armatosur kishte shkuar për pushim të shkurtër.

Me t’u futur të gjithë brenda, ata nisën të marrin gjërat me vlerë, si çanta, pallto e gjësende tjera luksoze.

Disa nga hajdutët morën çdo gjë që mund të mbanin në dorë, dhe atë për pak sekonda, dhe u larguan me vrap nga shitorja që është rreth 30 kilometra nga qendra e Chicagos.

Deri më tash këtë vit në Chicago, plaçkitjet janë rritur për 14 për qind, në 11.093 nga 9424 sa ishin vitin e kaluar.

Rroja shpejt u kthye te shitorja luksoze por nuk ishte në gjendje të ndalte hajdutët, ndërsa ata u larguan me vetura të ndryshme, ka njoftuar Policia.

Policët kanë qenë në gjendje ta gjejnë një nga veturat të premten, Dodge Charger, një veturë të vjedhur muajin e kaluar në Chicago.

Dy vetura tjera që besohet se janë një Lincoln MKZ i argjendtë dhe një veturë e kuqe sportive, po kërkohen nga Policia.

Shefi i Policisë së Oak Brook, James Kruger, ka thënë se dihet për veturat dhe regjistrimin e veturave.

“Po punojnë detektivët tanë për të gjetur fajtorët”, ka thënë Kruger për “FOX”.

Të ngjashme