Investime që lidhin e afrojnë veriun me jugun e Shqipërisë

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 14:43 | Nga

Qeveria do të vijojë mbështetjen buxhetore për të çuar përpara projektet infrastrukturore që i japin një shtysë të re zhvillimit të ekonomisë.

Sipas projektbuxhetit afatmesëm 2019-2021, që po përgatitet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, do të ketë një rritje të investimeve në infrastrukturë.

E gjithë logjika e investimeve është që të krijojë një damar, të krijojë një bosht lidhës në funksion të ekonomisë, në funksion të qytetarëve, veri-jug dhe produkti të jetë i prekshëm, shkruan ATSH.

Akset Thumanë-Vorë-Kashar, Kashar-Rrogozhinë, Milot-Balldren, Orikum-Dukat dhe Kardhiq-Delvinë, që janë planifikuar në këtë buxhet afatmesëm janë projekte madhorë, që do të rrisin dukshëm lidhjen e njerëzve dhe mallrave, duke përmirësuar dukshëm aksesin dhe zhvillimin e zonave turistike si në jug, ashtu edhe në jeri të vendit.

Aksi Delvinë-Kardhiq bën të mundur që zona Gjirokastër-Sarandë-Përmet, sidomos Gjirokastër-Përmet, që nuk preket njëlloj nga zhvillimi ekonomik, të integrohet në zonën turistike në një paketë të mundshme turistike për shkak të infrastrukturës që bëhet shumë e thjeshtë.

Saranda nga qyteti i Gjirokastrës bëhet 25-30 minuta, që do të thotë se çfarëdolloj oferte turistike që do të ofrojë Shqipëria në Sarandë, tani bëhet paketë së bashku me Gjirokastrën dhe bukurinë natyrore, apo ushqimin bio të Përmetit.

“Nëse i mendojmë akset një nga një, po ta shohim se çfarë jemi duke bërë me këto investime, më duhet të them që është nga ato herët e para që investimet në infrastrukturë kanë konceptin e shtyllës kurrizore, të krijimit të një aksi konektiviteti veri-jug, dhe pa devijuar nga logjika e përmirësimit të infrastrukturës drejt destinacioneve turistike”, tha ministri i Financave dhe Ekonomisë gjatë prezantimit të projektbuxhetit afatmesëm këtë javë.

Ndërsa krahas fondeve të parashikuara nga buxheti i shtetit zhvillimit të infrastrukturës do t’i vijë në ndihmë edhe programi “1 miliard për rindërtim”.

Projekti i parë në kuadër të këtij programi është “Rruga e Arbrit”, për të cilën nisën punimet një javë më parë.

“Rruga e Arbrit” parashikohet të përfundohet në këtë cikël buxhetor dhe është një ndërmarrje madhore që jo vetëm siguron lidhjen e verilindjes me kryeqytetin, por dhe tregje të reja, mundësi të reja për zhvillimin ekonomik, të turizmit dhe bujqësisë si edhe lidhjen me akset rajonale ekonomike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme