IPK: Tre të arrestuarit në veri janë zyrtarë të Policisë së Kosovës

Prishtinë | 24 Tet 2019 | 10:30 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e sotëm të zhvilluar në veri të vendit.

Përmes një komunikate për media, IPK ka konfirmuar informacionin se në operacion në pranga kanë përfunduar tre persona.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit  në Mitrovicën e Veriut tre zyrtarë policorë”, thuhet në raport.

Operacioni i sotshëm që u zhvillua me urdhëresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin “Kontrabanda”.

Arrestimi i tre të dyshuarve (një toger policor, një rreshter dhe një zyrtar policor) është realizuar me urdhëresë të Prokurorisë Speciale me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe  “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Të arrestuarit do të intervistohen nga hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent.

Me tri arrestimet e sotshme, gjithsej numri i zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 25.

Të ngjashme