Irani ekzekuton dy protestues dhe arreston një gazetar

Prishtinë | 07 Jan 2023 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Irani ka ekzekutuar dy burra të shtunën, duke e rritur në katër numrin e përgjithshëm të personave të ekzekutuar në lidhje me protestat që kanë përfshirë vendin që nga shtatori, sipas agjencisë shtetërore iraniane “Fars News”.

Mohammad Mehdi Karami dhe Seyed Mohammad Hosseini u varën herët në mëngjes të shtunën, raportoi “Fars News”. Dyshja, të cilët dyshohet se morën pjesë në protestat kundër regjimit vitin e kaluar, u dënuan për vrasjen e Seyed Ruhollah Ajamian, një anëtar i forcës paraushtarake Basij të vendit, në Karaj më 3 nëntor, sipas agjencisë së lajmeve gjyqësore të Iranit “Mizan”, raporton CNN.

Mohammad Hossein Aghasi, një avokat që mbron Karamin, postoi të shtunën në Tëitter ku tha se Karamit nuk i ishin dhënë të drejtat përfundimtare për të folur me familjen e tij përpara ekzekutimit. Avokati shtoi se Karami kishte filluar një grevë urie me ushqime të thata të mërkurën si një formë proteste kundër zyrtarëve që nuk e lejuan Aghasin ta përfaqësonte atë.

Në dhjetor, prindërit e Karamit u lutën në rrjetet sociale për jetën e tij. “Ju lutem, ju lutem të hiqni urdhrin e ekzekutimit nga dosja e djalit tim”, tha babai i kampionit 21-vjeçar të karatesë.

Ndërkohë, redaktori politik i gazetës së pavarur iraniane “Etemad Online”, Mehdi Beyk, u arrestua të enjten, njoftoi kjo gazetë. Arrestimi erdhi në mes të një goditjeje nga autoritetet iraniane pas protestave të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini vitin e kaluar, pasi ajo u kap nga policia morale e shtetit për dyshimin se nuk mbante hixhabin e saj siç duhet.

Beyk u arrestua nga zyrtarë të Ministrisë së Informacionit të Iranit, tha të premten gruaja e tij, Zahra Beyk.

Ai u arrestua pasi “intervistoi familjet e disa prej të arrestuarve në protesta”, sipas gazetës së aktivistëve pro-reformës “IranWire”.

Zyrtarët iranianë kanë arrestuar më parë disa individë për kritikat e tyre ndaj reagimit të qeverisë ndaj protestave.

Të ngjashme