Irani thotë se do t’i neutralizojë sanksionet amerikane

Prishtinë | 23 Shk 2019 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët iranianë kanë deklaruar se vendi i tyre ka shumë mundësi për ta neutralizuar efektin e sanksioneve amerikane për eksportet e naftës, duke shtuar se ndikimi i Iranit në rajon nuk do të dobësohet, pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit.

“Përpos mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, ne kemi mundësi tjera për ta ndaluar qarkullimin e naftës nëse kërcënohemi”, ka thënë sekretari i Këshillit Suprem për Siguri Kombëtare, Ali Shamkhani. “Irani ka plane për t’i neutralizuar sanksionet ilegale të Shteteve të Bashkuara për eksportet e naftës së vendit tonë”, ka shtuar ai.

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rritur pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin dhe gjashtë fuqi tjera botërore në maj të vitit të kaluar. Menjëherë pas këtij veprimi, ai kishte vendosur sanksione të reja kundër Iranit.

Përpos këtyre masave, Uashingtoni ka kërkuar nga shtetet tjera për ta ndërprerë plotësisht blerjen e karburanteve nga Irani. Në anën tjetër, Irani ka kërcënuar se do ta pengojë transportimin e naftës nga shtetet e Gjirit Persik nëse Shtetet e Bashkuara e bllokojnë eksportimin e naftës së tyre, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme