Izraeli lehtëson masat e kufizimit pas suksesit me vaksinën

Prishtinë | 21 Shk 2021 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë në Izrael ka konfirmuar se vaksina e kompanive Pfizer/BioNTech është gati 99 për qind efektive për parandalimin e sëmundjes COVID-19. Kjo ka bërë që autoritetet të nisin me lehtësimin e masave parandaluese, ndërsa vendi udhëheq procesin e vaksinimit në botë.

Izraeli, i cili është duke udhëhequr garën për vaksinimin në botë, ka deklaruar se vaksina e kompanive Pfizer/BioNTech është gati 99 për qind efektive për parandalimine sëmundjes COVID-19.

Sipas të dhenave nga Ministria e Shëndetësisë rreth 2.9 milionë banorë izraelitë kanë marrë të dyja dozat e vaksinave ndërsa një dozë të vaksinës e kanë marrë gati gjysma e popullsisë prej 9 milionë banorësh.

 “Vaksina është 98.9 për qind efektive në parandalim të vdekjes dhe 99.2 për qind efektive kundër sëmurjes serioze, në mesin e atyre që kanë marrë të dyja dozat” konfimon Ministria e Shëndetësisë, ndërsa synimi është që Izraeli të vaksinojë të gjithë qytetarët mbi 16-vjeç deri në fund të muajit mars.

Koronavirusi po vazhdon të përhapet në Izrael, kryesisht nga prezenca e variantit britanik.

Mirëpo përmes fushatës së vaksinimit, qeveria vazhdon të marrë hapa për të dalë nga izolimi i fundit.

Më 21 shkurt, dyqanet, qendrat tregtare, palestrat, disa shkolla të mesme dhe shërbime tjera publike, kanë nisur punën sërish.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu njoftoi se njerëzit që janë vaksinuar kundër koronavirusit, do të mund të marrin pjesë në ngjarje kulturore, të udhëtojnë jashtë vendit dhe të vizitojnë palestra dhe restorante.

Të ngjashme