“Jo, kurrë s’do ta kapja armën”

Prishtinë | 06 Pri 2023 | 19:17 | Nga Lirim Mehmetaj

Në një sekuencë, fare në fillim, të filmit “Skënderbeu”, ai pas një dueli për mundje-krahu me një bujk, i ofron atij armën the i shtron një pyetje “A don ti t’i luftosh turqit?”.

“Du”, përgjigjet Gjini që “vjen nga fushat”.

Ky normalisht është një film dhe dialogu ka mundësi të mos ketë ndodhur kurrë, por e rëndësishme është simbolika.

Është një moment ku argumentimet, arsyetimet, llafet, pallavrat, janë të parëndësishme para pyetjes që të shtrohet – do luftosh për fatin tënd e të kombit, apo jo?

Në përgjigjen e kësaj pyetje bëhet prerja, gjithçka tjetër është inflacion fjalësh, dokrra hini.

Jo Skënderbeu, po një gazetar i huaj në prag lufte e pyet të riun Albin Kurti. “A don ti t’i luftosh serbët?”.

Ndryshe nga Gjini i fushave, Albini i banesave thotë: “Jo, kurrë s’do ta kapja armën”.

Fatkeqësisht si ky i ri, që refuzoi të kap armën për të luftuar, ishin shumica.

Në vend se bashkë me armën të kapnin edhe fatin e tyre në dorë, ata e dorëzuan. I riu Albin u kthye në banesën e tij dhe priti këmbëkryq të burgoset.

Për fatin e tij të mirë, ai jetonte në një shoqëri pa shtet, se një përgjigje e tillë mohuese ndaj thirrjes për mobilizim – siç e kemi parë në Ukrainë – ndalohet me ligj.

Në dokumentarin për jetën e Theodore Roosevelt, ish-presidentit amerikan, në një moment ai thotë: “e kam ndërmend t’iu shpjegoj fëmijëve të mi pse luftova, jo pse nuk luftova”.

Nga jeta e Roosevelt-it nxirret edhe një mësim i vyer.

Një nga historianët që është pjesë e dokumentarit thotë: “Arsyeja përse ai dëshironte të luftonte, ishte se babai i tij nuk mori pjesë në luftë”.

Pra, mohoni baballarët që mohuan luftën për liri. Pyesni, “pse nuk luftove?”.

Dhe, mos harroni asnjëherë, ishte një moment vendimtar, definitiv, përcaktues, dhe shumica dërrmuese thanë “jo”.

Kur i shihni sot duke u ekzaltuar se mbrojtja po provon të dëshmojë se UÇK-ja s’ishte gjithë ajo strukturë e organizuar dhe se roli i pozicioneve formale s’ishte krejtësisht në përputhshmëri me kompetencat në letër, nuk ka shumë lidhje me ata në Hagë, ka lidhje me këta vetë.

Është njëfarë qetësie shpirtërore, njëfarë dëshire për të thënë se “të gjithë paskemi qenë frikacakë”.

Të ngjashme