Kadri Shala që përvetësoi 2 milionë € nga Thesari ndalohet për 48 orë, konfirmon avokati

Prishtinë | 26 Tet 2020 | 17:44 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kadri Shalës, pronar i kompanisë “LDA Group”, të cilit dyshohet se i janë transferuar 2.1 milionë euro i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka konfirmuar avokati i tij Osman Hoxha në një deklarim për media pas intervistimit të Shalës nga Prokuroria.

Ai ka thënë se klienti i tij është intervistuar nga ora 12 e mesditës deri në orën 17:00. Hoxha ka thënë se intervsitimi ka qenë në përputhje me ligjin.

“Siç jeni të informuar se i njëjti ka deklaruar se vet do të paraqitet në polici dhe ashtu ka vepruar. Sot rreth orës 12 ka filluar intervisitmi deri në ora 17 ka zgjatur intervisitmi. Çdo gjë ka qenë konform ligjit dhe për më shumë nuk mundem të lëshohem për shkak të hetimeve. Të njëjtit Prokuroria Speciale ka lëshuar urdhër për ndalim për 48 orë dhe për fazat e mëtutjeshëm do të njoftohemi me kohë”, tha ai.

Ndërkohë, avokati ka bërë të ditur se i dyshuari ka qëndruar në Turqi.

Për ndalimin e tij për 48 orë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale, e cila përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se ndaj të njëjtit do të ndërmerren të gjitha veprimet përkatëse ligjore brenda afateve të përcaktuara me ligj.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se, sot ka lëshuar aktvendim për ndalimin e personit të arrestuar, të dyshuarit me inicialet K.Sh, me dyshimin se ka qenë i përfshirë në rastin e keqpërdorimit të ndodhur në Departamentin e Thesarit/Ministria e Financave e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale njofton se do të ndërmerren të gjitha veprimet përkatëse ligjore brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Shala është dorëzuar gjatë ditës në Policinë e Kosovës.

Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.

Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.

Të ngjashme