Kërcënimet e Wagner-it, mbyllet autostrada për në Moskë

Prishtinë | 24 Qer 2023 | 07:58 | Nga Ekonomia Online

Autostrada M4 që çon për në Moskë është mbyllur në kufirin midis rajoneve Lipetsk dhe Voronezh, tha guvernatori i Lipetsk.

Më herët ai tha se një autokolonë ushtarake ruse ndodhej në autostradë.

M4 lidh Moskën me rajonet jugore duke përfshirë Rostovin dhe qytetin e tij kryesor Rostov-on-Don, ku janë parë njerëz të armatosur, shkruan BBC.

Kjo pason zotimin e shefit të grupit mercenar Wagner, Prigozhin, për të rrëzuar udhëheqjen ushtarake të Rusisë.

Grupi Wagner është një organizatë paraushtarake që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Në muajt e fundit, Prigozhin është bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.

Në një audio-mesazh, të postuar në platformën e mediave sociale Telegram, ai tha se “një numër i madh” i luftëtarëve të tij është vrarë në një sulm të ushtrisë ruse në një kamp të Wagnerit, ndonëse nuk nxori asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tij.

“Ata që vranë djemtë tanë dhe dhjetëra mijëra ushtarë rusë [në luftën në Ukrainë], do të ndëshkohen”, tha Prigozhin.

“Ju kërkoj të mos rezistoni. Kushdo që e bën këtë, do të konsiderohet kërcënim dhe do të shkatërrohet”, shtoi ai.

“Pushteti presidencial, Qeveria, policia dhe garda ruse do të punojnë si zakonisht. Ky nuk është një grushtshtet ushtarak, por një marshim për drejtësi”, tha Prigozhin.

Gjenerali Sergei Surovikin, zëvendësshef i forcave ruse në Ukrainë, i bëri thirrje atij që “t’i ndalojë autokolonat dhe t’i kthejë ato në bazat e tyre”.

“Ne jemi të një gjaku”, tha ai në një video-mesazh. “Nuk duhet të luani në duart e armikut, në një kohë të vështirë për vendin tonë”, u shpreh Surovikin.

Media shtetërore ruse raporton se FSB-ja – shërbimi i sigurisë në vend – ka hapur rast penal kundër Prigozhinit, duke e akuzuar atë për “thirrje për rebelim të armatosur” dhe përpjekje për fillimin e konfliktit të armatosur civil në Rusi.

FSB-ja raportohet se u ka bërë thirrje luftëtarëve të Wagnerit që të mos u binden urdhrave të Prigozhinit dhe të ndërmarrin hapa për ta arrestuar atë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha përmes një deklarate se të gjitha raportet e Prigozhinit – të përhapura në mediat sociale – për sulmet ruse në kampet e Wagnerit, “nuk janë të vërteta”.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Interfax, Kremlini tha gjithashtu se “po merren masat e nevojshme”.

Ndërkohë, në Twitter vazhdojnë lajmet se përmes Rostovit forcat e Wagnerit janë duke ju ofruar Moskës dhe gjithçka është afër një puçi ushtarak në Rusi.

Të ngjashme