Kërkohet paraburgim ndaj shtatë personave të dyshuar për 83.5 kilogram heroinë

Prishtinë | 24 Shk 2022 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve L.T., O.V.,M.H.,SH.D., F.K., A.K. dhe A.A (shtetas i Republikës së Turqisë), të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 23 Shkurt 2022, rreth orës 12:00h në Han të Elezit, përkatësisht në terminalin doganor, të pandehurit duke vepruar si anëtar të grupit pa autorizim kanë transportuar nga Turqia për në Republikën e Kosovës, substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, e të cilat substanca kanë pasur për qëllim shpërndarjen, shitjen ose ofrimin për shitje, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit të automjetit transportues, pronë e kompanisë “Alba Trans” është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë me peshë të përgjithshme 83.592gram, e cila substancë narkotike për destinacion ka pasur Prishtinën dhe ka qenë e fshehur në brendi të 32 reflektorëve, me të cilën kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, i pandehurin L.T., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Magnum”, me pesë fishekë, e të cilat me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”.

Ndërsa, i pandehuri tjetër O.V., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Walther”, që me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast do të mbahet neser pasdite në Gjykatën Themelore ne Ferizaj.

Të ngjashme