Këshilli i BE-së me rekomandime të reja për lëvizje të lirë gjatë pandemisë

Prishtinë | 25 Jan 2022 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Evropian miratoi sot rekomandimet rreth një qasje më të koordinuar për të lehtësuar lëvizjen e sigurt dhe të lirë gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas rekomandimeve të reja të miratuara të Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë të detyrueshme dhe u lënë shteteve anëtare vet të vendosin për vaksinimin, testimin ose statusin e rikuperimit të qytetarëve nga COVID-19, siç konfirmohet nga certifikata dixhitale e vlefshme e BE-së, të jenë përcaktuesit kryesorë të udhëtimit.

Prandaj, rekomandohet që masat kundër coronavirusit të zbatohen duke marrë parasysh statusin individual në vend të situatës në nivel rajonal, me përjashtim të zonave ku virusi qarkullon në nivele shumë të larta, shton institucioni evropian.

Këshilli i BE-së miratoi një rekomandim për një “qasje të koordinuar”, e cila lejon lëvizjen e sigurt gjatë pandemisë COVID-19.

Siç u tha, ky rekomandim do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2022, nga kur periudha e vlefshmërisë së certifikatës së COVID-19 do të kufizohet në 270 ditë, transmeton Telegrafi.

Një certifikatë e vlefshme dixhitale COVID përfshin – Certifikata e vaksinimit me një vaksinë të miratuar në nivel evropian nëse kanë kaluar të paktën 14 ditë dhe jo më shumë se 270 ditë nga doza e fundit e serisë së vaksinimit parësor ose nëse personi ka marrë një dozë përforcuese.

“Shtetet anëtare mund të pranojnë gjithashtu certifikatat e vaksinimit për vaksinat e miratuara nga autoritetet kombëtare ose OBSH”, thuhej në rekomandimet e Këshillit.

Një rezultat negativ i testit PCR i marrë jo më shumë se 72 orë para udhëtimit ose një test i shpejtë antigjen negativ i marrë jo më shumë se 24 orë para udhëtimit.

Një certifikatë rikuperimi që tregon se nuk kanë kaluar më shumë se 180 ditë nga data e rezultatit të parë pozitiv të testit.

Personave që nuk kanë një certifikatë dixhitale të BE-së për COVID mund t’u kërkohet t’i nënshtrohen një testi përpara ose jo më vonë se 24 orë pas arritjes. Fëmijët nën moshën 12 vjeçare, si dhe udhëtarët me një arsye thelbësore për të udhëtuar, përjashtohen nga ky rregull.

Siç u tha, BE-ja do të vazhdojë të vlerësojë situatën në rajone ndërsa nuk është shfuqizuar i ashtuquajturi mekanizmi emergjent në rast të shpërthimit të varianteve të reja ose shqetësimeve të shtuara për përhapjen e virusit.

Rekomandimet e Këshillit nuk janë ligjërisht të detyrueshme, ndaj i takon autoriteteve të shteteve anëtare të vendosin për zbatimin e tyre. /Telegrafi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme