Kina e furnizon me armë Serbinë

Prishtinë | 24 Tet 2023 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Serbia po forcon forcat e armatosura me pajisje ushtarake nga Kina, posaçërisht sisteme të mbrojtjes ajrore dhe dronë.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, në një intervistë për mediat serbe pohoi se përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, veçon bashkëpunimin ushtarak më së pari dhe atë ekonomik si dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin, sipas Euronews Albania.

Vuçeviq tha se përpjekjet për pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura kanë për qëllim mbrojtjen.

Presidenti i Kinës Xi Jinping, bëri thirrje për një bashkërendim më të fortë strategjik me “mikun e çeliktë” Serbinë, kur takoi presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq, në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar për mbështetje ndaj Serbisë në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj.

Vuçeviq tregoi se sistemi i raketave kundërajrore kineze me rreze të mesme veprimi FK-3 dhe avionët pa pilote, janë “pa dyshim” ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes.

Ky përforcim i ushtrisë së saj vjen në një kohë tensionesh të larta me Kosovën, situatën me të cilën si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia, e cila tradicionalisht mbështet Serbinë, po e vëzhgojnë me kujdes.

Të ngjashme