Komuna e Lipjanit inauguron Palestrën moderne, Ahmeti fton që të mbështeten klubet sportive

Prishtinë | 28 Nën 2023 | 17:04 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Lipjanit ka mbajtur ceremoninë inauguruese të Palestrës së re Sportive, pikërisht në Ditën e Flamurit, raporton Ekonomia Online.

Palestra, e cila që nga sot do të jetë në shërbim të klubeve sportive dhe të sportdashësve lipjanas është ndërtuar në afërsi të rreth-rrotullimit Lipjan-Magurë, në vendin që deri para pak kohësh është përdorur si treg i kafshëve.

Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, tha se më herët këtu ka qenë tregu i kafshëve, që e ka vështirësuar jetë e banorëve përreth, si dhe e ka rënduar komunikacionin. “Tani është shndërruar në një palestër moderne që do të jetë në shërbim të sportdashësve lipjanas”.

Ai me këtë rast i ftoi edhe bizneset e kësaj komune dhe më gjerë që të mbështesin klubet sportive.

“Pa dyshim që është ndjenjë e veçantë veçanërisht në ditën e 28 Nëntorit të inaugurojmë objekte të tilla që do të jenë në shërbim të sportdashësve, të qytetarëve të Lipjanit”, tha Ahmeti.

“Në Ditën e Flamurit, në ditën e lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, në ditën e daljes në publike të UÇK-së, lipjanasit po e marrin edhe një sallë në shërbime të qytetarëve. Jemi të vetëdijshëm që përkundër një hapësire që ishte treg e që vështirësonte edhe jetën e banorëve në këto lagje, e trafikun, sot jemi të kënaqur se bashkë me ju do të jemi frekuentues të kësaj palestre”.

“Lipjani sot ka 16 klube sportive, katër prejt tyre i kemi në super liga të Kosovës. Unë ftoj të gjitha bizneset që të jenë në mbështetje të sportit. Donacionet na duhen për sport”, tha kreu i Komunës.

Ahmeti shfaqi besimin se Kuvendi i Komunës do të emërojë shumë shpejt këtë palestër me emrat e tre dëshmorëve të Kleçkës.

Në fillim të këtij organizmi u shfaq një reportazh i shkurtër i punës që është bërë në komunën e Lipjanit, nën udhëheqjen e kryetarit Imri Ahmeti. Më pas të pranishmit patën mundësinë që të ndjekin një lojë volejbolli.

Në fund është mbajtur një koncert festiv për Ditën e Flamurit, me ç’rast të pranishmit i argëtoi Asim Gashi.

Të ngjashme