Kongresi amerikan miraton ligjin që ndalon daljen nga NATO

Prishtinë | 23 Jan 2019 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara e ka miratuar me shumicë dërrmuese të votave një ligj që konfirmon mbështetjen e Kongresit për NATO-n. Votimi u bë pas shqetësimeve në rritje lidhur me angazhimin e presidentit Donald Trump, në aleancën 29 anëtarëshe.

Ligji që u miratua me 357 vota për dhe 22 kundër, pohon se është politikë e SHBA-së të mbetet pjesë e aleancës ndërkaq ndalon përdorimin e fondeve për t’u tërhequr nga Aleanca Veriatlantike.

Përveç konfirmimit të kontrollit të Kongresit mbi paratë, ligji rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së ndaj NATO-s dhe klauzolën e saj të mbrojtjes së ndërsjellë, shkruan REL.

Ligji shpreh gjithashtu mbështetje për Malin e Zi, si anëtarin më të ri të NATO-s, për financimin e “fuqishëm” të SHBA-së për Iniciativën Evropiane të Ndalimit si dhe afirmon qëllimin që secili anëtar i Aleancës të shpenzojë së paku 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në mbrojtje deri në vitin 2024.

Vetëm disa orë para votimit, Ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Wess Mitchell, diplomati i lartë i SHBA-së në Evropë dhe një përkrahës i hapur i NATO-s, paraqiti dorëheqjen e tij në një periudhë të lidhjeve të tensionuara në marrëdhëniet transatlantike.

Gazeta “New York Times” duke cituar burime të qeverisë federale, kohë më parë raportoi se presidenti amerikan Trump, vitin e kaluar, ka paraqitur idenë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga NATO-ja, një veprim ky që do të shkatërronte në mënyrë efektive Aleancën e cila shënon 70 vjetorin e themelimit të saj në prill të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme