Koreja Veriore hedh dy raketa balistike afër Japonisë

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 11:24 | Nga Ekonomia Online

Koreja Veriore ka testuar dy raketa balistike në orët e hershme të së enjtes. Ky veprim po cilësohet si sfida më e madhe deri më tani ndaj përpjekjeve të presidentit amerikan, Joe Biden, për të nisur bisedime rreth programit bërthamor të shtetit komunist.

Raketat u hodhën në ujërat lindore të Koresë Veriore dhe besohet të kenë rënë në det jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë, thanë zyrtarët në Tokio.

Testimi i këtyre raketave u bë pak ditë pasi Bideni i cilësoi si “punë të zakonshme” lëshimin e dy raketave me rreze të shkurtër fundjavën e kaluar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Është bërë një vit që nga koha kur ata kanë lëshuar raketa. Kjo kërcënon paqen dhe sigurinë e shtetit tonë dhe rajonit. Është gjithashtu shkelje e rezolutave të OKB-së”, tha para gazetarëve kryeministri japonez, Yoshihide Suga.

Ushtria e Koresë Jugore tha se Koreja Veriore ka hedhur dy raketa të paidentifikuara në Detin e Japonisë nga provinca e Hamgyongut Jugor. Për momentin nuk ka të dhëna tjera për llojin e raketave, por ushtria koreanojugore tha se e ka fuqizuar vëzhgimin në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

Koreja Veriore nuk ka testuar ndonjë armë bërthamore apo ndonjë raketë balistike ndërkontinentale që nga viti 2017, para një takimi historik të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong-un, më 2018.

Të ngjashme