Koreja Veriore pezullon planet për veprime ushtarake kundër Koresë Jugore

Prishtinë | 24 Qer 2020 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Koreja Veriore ka vendosur t’i pezullojë planet për veprime ushtarake ndaj Koresë Jugore. Sipas një raporti, trupat e vendit komunistë i kanë larguar altoparlantët që i kishin instaluar së voni në kufirin e fortifikuar mes dy vendeve.

Tensionet politike mes këtyre dy shteteve janë rritur pas ankesave të Pjongjangut ndaj planeve të grupeve të dezertorëve në Korenë Jugore që të dërgojnë fletushka propaganduese në Korenë Veriore. Tensionet i ka shtuar edhe mungesa e negociatave për sanksionet ekonomike.

Nuk është e qartë pse Koreja Veriore e ka zbutur pozicionin e saj pasi javën e kaluar e shkatërroi me bomba Zyrën Ndërlidhëse dhe e shkëputi linjën e komunikimit me fqinjin jugor, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Ushtria e Koresë Veriore të mërkurën është parë duke i larguar rreth 10 altoparlantë afër zonës së demilitarizuar, vetëm disa ditë pasi trupat e saj u panë duke i instaluar rreth 20 pajisje të tilla.

Një zëdhënës i Ministrisë së Unifikimit në Korenë Jugore, që merret me marrëdhëniet me Korenë Veriore, tha se kjo ministri është duke e vëzhguar situatën dhe se nuk ka ndryshim të qëndrimit që marrëveshjet mes dy vendeve duhet të mbahen.

Kjo ministri gjithashtu i konfirmoi raportet se disa faqe propaganduese të Koresë Veriore në internet i kanë larguar artikujt me kritika ndaj Koresë Jugore, ndonëse arsyeja e këtij veprimi mbetet e paqartë.

Të ngjashme