Kosovë-Serbi, shtatori një muaj ‘i nxehtë’

Prishtinë | 24 Gus 2018 | 12:20 | Nga

Shtatori pritet të jetë një muaj i nxehtë për Kosovën. Më i nxehtë madje se gushti me vapë dhe deklarata që tronditën politikën dhe diplomacinë . Teza e korrigjimit të kufijve siç e ka përkufizuar presidenti Thaçi duket se do të jetë në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi gjatë shtatorit.

Shtatori do të jetë një muaj i nxehtë për Kosovën e Serbinë.

Takimi i tretë në kuadër të fazës finale të dialogut në Bruksel, ku presidenti Hashim Thaçi pritet të hedhë në tryezën e bisedimeve edhe tezën e bashkimit të mundshëm të Luginës së Preshevës me Kosovën, vizita e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Kosovë ku është paralajmëruar edhe publikimi i një plani nga autoritetet e Serbisë, si dhe protestat e paralajmëruara nga opozita kosovare për ndërprerjen e bisedimeve me shtetin fqinj, pritet të ngrenë jo pak temperaturat politike gjatë muajit të ardhshëm, raporton tch.

Në fillim të shtatorit, do të mbahet takimi i tretë në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi. Nga zyra e presidencës së Kosovës tashmë kanë bërë të ditur se në këtë tryezë do të diskutohet për çështjen e Luginës së Preshevës, respektivisht për kërkesën e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën.

Kjo tezë e hedhur nga presidenti Thaçi, nën përcaktimin ‘korrigjim kufijsh’, i ka ndezur jo pak diskutimet edhe gjatë këtyre muajve, me përfshirjen në debate të Kosovës, Serbisë por edhe vendeve fqinje dhe fuqive të mëdha.

Aq sa edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, përsëriti jo një por disa herë, se në Ballkan nuk duhet të ketë ndryshime kufijsh. Po në shtator, do të vizitojë Kosovën edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili ka bërë të ditur se do të bëjë publik edhe një plan të detajuar për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”. Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi nuk janë afër gjetjes së një zgjidhjeje, por ashtu siç ka bërë pala kosovare, edhe ai, do ta ketë një propozim.

Lexo edhe:

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme