Kovaçevski jep dorëheqje të enjten, hapet rruga për kryeministrin e parë shqiptar në RMV

Prishtinë | 23 Jan 2024 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, do të japë dorëheqjen të enjten (25 janar), pas së cilës do të duhet të formohet një qeveri kalimtare ose teknike.

Ajo duhet të zgjidhet deri në fund të kësaj jave (28 janar), kur skadon afati 100 ditor para zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 8 maj, përcjell INA.

Kjo do të jetë hera e tretë pas vitit 2016 që Maqedonia e Veriut ka një qeveri kalimtare ose teknike.

Tashmë emri i kryeministrit teknik është propozuar Talat Xhaferi, kryeparlamentari aktual i cili ka mbështetjen e LSDM, BDI dhe partive tjera të koalicionit. Xhaferi do të jetë edhe si kryeministri i parë shqiptar që do të drejtojë Qeverinë e RMV-së.

Në Qeverinë teknik do të përfshihet edhe VMRO-DPMNE. Siç mësohet, seanca e Komitetit Ekzekutiv të kësaj partie pritet të zhvillohet nesër ku do të konfirmohet vendimi zyrtar për pjesëmarrje në Qeveri, por nuk dihet nëse pas saj do të bëhen të ditur emrat e ministrave dhe zëvendësministrave shtesë.

VMRO-DPMNE në qeverinë teknike duhet të ketë ministra të Punëve të Brendshme dhe Punës dhe Punës Sociale dhe zëvendësministra shtesë në departamentet e financave, shoqërisë së informacionit dhe administratës dhe në bujqësi.

Në dy ministritë ku VMRO-DPMNE do të ketë ministra, LSDM do të ketë po ashtu zëvendësministra shtesë.

Po ashtu, pak ditë para përfundimit të afatit zgjedhor, është hapur çështja se kush do ta votojë qeverinë teknike të drejtuar nga Xhaferi. VMRO-DPMNE do të propozojë kandidatët për Qeverinë, por njofton se nuk do të votojë për qeverinë sepse Xhaferi nuk ishte i denjë për pozitën.

LSDM, nga ana tjetër kërkoi se partia opozitare ka obligim të propozojë anëtarë dhe të mbështesë qeverinë e re, ndërsa lideri i partisë dhe kryeministri në largim, Dimitar Kovaçevski, ka dërguar mesazh për një skenar të mundshëm që Xhaferi të propozojë qeverinë në të cilën pozitat e VMRO-DPMNE-së do të mbeten bosh nëse partia vendos të mos e votojë atë qeveri.

Kryetari i Kuvendit Xhaferi ka caktuar për nesër më 24 janar koordinim me të gjitha grupet parlamentare për të përcaktuar datat e sakta të seancave gjatë të cilave do të konfirmohen dorëheqjet dhe do të votohet për qeverinë teknike.

Të ngjashme