Kryeqyteti i Sudanit bllokohet pas gjakderdhjes së nxitur nga puçi

Prishtinë | 26 Tet 2021 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Rrugët u bllokuan, dyqanet u mbyllën, telefonat nuk punonin e zmadhuesit e zërit nëpër xhami bënin thirrje për grevë të përgjithshme në Sudan të martën, një ditë pasi ushtria e mori pushtetin me puç.

Së paku shtatë persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë lënduar në trazirat që u nxitën nga puçi ushtarak, i cili i dha fund tranzicionit të Sudanit drejt demokracisë dy vjet pas rrëzimit të një presidenti autoritar.

Nata u duk të ketë kaluar kryesisht e qetë pas kryengritjes së të hënës, kur protestuesit dolën në rrugë pas arrestimit të Kryeministrit Abdalla Hamdok nga ushtria. Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë tha se shtatë persona janë vrarë në përleshjet mes protestuesve e forcave të sigurisë.

Udhëheqësi i puçit, Gjeneral Abdel Fattah al-Burhan, e shpërndau Këshillin Sovran, të përbërë nga figura civile e ushtarake, që ishte themeluar me qëllim të vendosjes së demokracisë në vend pas rrëzimit të presidentit autokrat, Omar al-Bashir, më 2019, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Gjenerali al-Burhan e ka shpallur gjendjen emergjente, duke thënë se forcat e armatosura duhet që ta mbrojnë sigurinë. Ai premtoi se Sudani do të mbajë zgjedhje në korrik të vitit 2023 dhe se ai do t’i dorëzojë pushtetin një qeverie civile deri atëherë.

Të ngjashme